Moska nuk sheh kushte për rifillimin e dialogut për t’i dhënë fund luftës me Ukrainën.
Kështu së paku mund të vlerësohet pas deklaratave të fundit të zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov.
“Ende nuk ka parakushte për të kaluar në një rrugë paqeje në negociata”, citohet të ketë thënë ai, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Sipas Peskovit, Rusia mbetet “e hapur” për një zgjidhje diplomatike, ndërsa pretendon se nuk sheh një hapje të ngjashme nga ana e Ukrainës.
“Shtetet evropiane po përpiqen të gjejnë gjithnjë e më shumë fonde për të blerë armë [për Ukrainën – shën. red.]. Regjimi i Kievit vazhdon aktivitetet e tij që mund të cilësohen si terroriste”, ka thënë Peskov, pa përmendur sulmet e vazhdueshme të Rusisë ndaj infrastrukturës kritike, civile dhe energjetike në të gjithë Ukrainën.
I pyetur nëse Kremlini i konsideron si “retorikë” thirrjet e presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për vendosjen e një armëpushimi energjetik – duke pasur parasysh se Perëndimi vazhdon të ofrojë ndihmë ushtarake për Ukrainën – Peskov u përgjigj: “Absolutisht”.
Ai komentoi gjithashtu mundësinë e një takimi ballë për ballë midis Putinit dhe Zelenskit, duke përsëritur se lideri ukrainas do të duhej të udhëtonte drejt Moskës për një takim të tillë.
“Atij do t’i ofrohen të gjitha garancitë e nevojshme të sigurisë. Ai e di shumë mirë se cilat vendime duhen marrë. Në çdo rast tjetër, mbajtja e takimeve në nivelin më të lartë para se të përfundojë puna në nivel ekspertësh është e papërshtatshme, sepse do të ishte humbje kohe”, ka thënë më tej Peskov.
Më herët në shtator, ai tha se Rusia priste një takim trepalësh me Ukrainën, që do të përfshinte edhe Shtetet e Bashkuara, “në të ardhmen e afërt”, me gjasë në tetor.
Siç kujtojnë mediat, presidenti Volodymyr Zelensky tha një ditë më parë se dhënia fund e luftës ishte çështja kryesore gjatë bisedimeve të tij me presidentin amerikan Donald Trump në Nju Jork.
Ai gjithashtu tha se ishte i gatshëm për bisedime me presidentin rus Vladimir Putin.
Duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Trumpi tha se Shtetet e Bashkuara shpresonin të arrinin paqen midis Ukrainës dhe Rusisë.
Sipas tij, “kjo do të ndodhë më shpejt sesa pritej”. /Telegrafi/