Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka nisur procesi i numërimit të fletëvotimeve të votuesve jashtë Kosovës, përkatësisht atyre që kanë votuar në përfaqësitë diplomatike.
Sipas rezultateve nga dy kutitë e para të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 1,024 vota, apo 84 për qind të votave të numëruara deri më tani.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka siguruar 92 vota, që përbëjnë 7.55 për qind, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 66 vota, apo 5.41 për qind.
Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 23 vota, ose 1.89 për qind.
Njëkohësisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur përditësimin e rezultateve të përmbledhura, ku sipas të dhënave të deritanishme, Lëvizjes Vetëvendosje i është shtuar një mandat, ndërsa Lidhjes Demokratike të Kosovës i është zbritur një mandat.
Procesi i numërimit të votave nga jashtë vendit pritet të vazhdojë edhe gjatë orëve në vijim./Telegrafi/
