Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka thirrur për sot, 2 tetor, një mbledhje urgjente, e cila pritet të mbahet me dyer të mbyllura për publikun.
Mbledhja është paraparë të nisë në orën 15:00, ndërsa deri më tani nuk dihet zyrtarisht se cilat çështje do të jenë në rendin e ditës.
Burimet bëjnë të ditur se në këtë mbledhje pritet të diskutohet edhe për performancën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Blerim Isufaj.
Mbledhja urgjente e KPK-së vjen një ditë pas takimit të rregullt të Këshillit, të mbajtur më 1 tetor, ku, sipas burimeve, është diskutuar edhe çështja e performancës së kryeprokurorit të PSRK-së.
Ndërkohë, lidhur me këtë zhvillim ka reaguar Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), i cili ka shprehur shqetësim për thirrjen e takimit dhe ka kërkuar që të mos ndërmerren veprime që mund të cenojnë funksionalitetin e Prokurorisë Speciale.
“IKD thekson qartë se llogaridhënia nuk duhet dhe nuk mund të përdoret si arsyetim për vendimmarrje me procedura të shpejta dhe të paqarta ndaj një kryeprokurori”, thuhet në reagim.
IKD ka vlerësuar se çështja duhet të trajtohet me kujdes, duke marrë parasysh mandatin e PSRK-së në trajtimin e rasteve që ndërlidhen me krimin e organizuar dhe krimin transnacional, si dhe bashkëpunimin me shtetet tjera.
Instituti ka kërkuar që çdo proces që mund të prekë pozitën apo mandatin e Kryeprokurorit të PSRK-së të zhvillohet në pajtim me Kushtetutën, ligjin e aplikueshëm dhe praktikën gjyqësore.
Sipas IKD-së, vlerësimi i performancës së kryeprokurorit duhet të jetë “profesional, i drejtë, i paanshëm, objektiv dhe i bazuar në indikatorë të matshëm”, duke respektuar njëkohësisht pavarësinë e prokurorëve në trajtimin e rasteve individuale.
Në reagimin e tij, IKD ka përmendur edhe rastin e vitit 2025, kur KPK kishte shkarkuar Besim Kelmendin nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
“Vet Gjykata Supreme e anuloi këtë vendim si të kundërligjshëm”, thuhet në reagimin e IKD-së.
IKD ka kërkuar që ky rast të shërbejë si mësim institucional dhe që KPK të shmangë, sipas tij, praktikat e vendimmarrjes së ngutshme.
Instituti ka theksuar se llogaridhënia dhe pavarësia e sistemit prokurorial duhet të zbatohen në mënyrë të drejtë, transparente dhe të balancuar.
“Kërkesa për llogaridhënie nuk duhet të përdoret si instrument apo mënyrë për ndërhyrje në pavarësinë funksionale të një zyre prokuroriale, sikurse pavarësia nuk mund të shfrytëzohet si arsyetim për mungesë të llogaridhënies”, thuhet në reagim.
IKD ka thënë se nuk e kupton urgjencën e një takimi të tillë pa u përfunduar dhe pa u shterur të gjitha mjetet juridike në dispozicion.
Në fund, IKD i ka kërkuar KPK-së të sigurojë një proces të drejtë dhe të pavarur dhe të mos ndërmarrë veprime që, sipas këtij instituti, do të cenonin sigurinë juridike, funksionalitetin e PSRK-së dhe besimin e publikut në KPK dhe në pavarësinë e sistemit prokurorial. /Telegrafi/