Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në takimin e së hënës ka shpallur konkursin për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.
Shpallja e konkursit u bë me pesë vota për, një kundër dhe asnjë abstenim, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Konkursi do të jetë i hapur 15 ditë pune.
Paraprakisht, anëtari Milot Krasniqi mori fjalën, duke thënë se procesi për Kryeprokuror të Shtetit është bllokuar tash e katër vite qëllimisht. Ai parashtroi pyetje se pse tash po zhvillohet kaq urgjent dhe se pse Këshilli po bie nën ndikimin e pushteteve të tjera.
Krasniqi tha se Këshilli për këtë process duhet të tregojë integrietit dhe të mos zhvillojë procese nën ndikim të dikujt.
Tutje, Krasniqi tha se para publikut do të parashtrojë disa pyetje se kujt i pengoi dekretimi i Kryeprokurorit të Shtetit, dhe se a duhet me domosdo të kemi Kryprokurorin që e duan pushtetet tjera.
Anëtari Krasniqi tha se nëse gjatë procesit të kaluar për Kryeprokuror të Shtetit ka pasur shkelje, atëherë sipas tij, ka pas mjete dhe insitucione kompetente për t’i dhënë përgjigje pretendimeve për shkelje.
Më tej, Krasniqi deklaroi se ish-presidentja Vjosa Osmani mori rolin e arbitrit kur nuk dekretoi Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit, duke shtuar se nuk ka vendim por vetëm një njoftim për mosdekretim, e të cilin tha se nuk e ka si anëtar i KPK-së.
Po ashtu, Krasniqi tha se në Këshill ka mbërritur një letër nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu duke kërkuar që të shpallet konkursi, meqë rast tha se një qasje e tillë është e papranueshme dhe se nënkuptohet si ndërhyrje në punën e KPK-së.
Krasniqi shtoi se në rast se shpallet konkurs, do të krijohet precedent i keq.
“Do të krijohet një praktikë precednt i keq që të mos dekretohet Kryeprokurori i Shtetit vetëm pse nuk po i pëlqen emri”, tha Krasniqi.
Ndërkaq, vetë kryesuesi Arian Gashi tha se nuk përfshihet në diskutime që përfshihen aspekte të pushteteve të tjera, duke shtuar se kjo pozitë tash e një kohë është me ushtrues detyre.
Më pas, mori fjalën Krasniqi duke thënë se kush është Presidenti që të përfshihet në diskutime se kur ta shpallin konkursin duke kërkuar që të mos ndikohet.
Krasniqi kërkoi që procesin ta zhvillojnë të vetëm, duke mos kërkuar që të përzihet dikush tjetër.
Kurse, Gashi tha se e vetmja pozitë që nevojitet dekret prej Presidentit të shtetit është ajo e Kryeprokurorit të Shtetit dhe se pa një dekret të Presidentit nuk mund të kemi Kryeprokuror të Shtetit.
Ndërkaq, anëtari tjetër Visar Krasniqi tha se është e pakuptimtë kërkesa që të mos shpallet konkurs, ku tha se mungesa e Kryeprokurori të Shtetit është pengesë dhe se ka qenë kërkesë edhe nga partnerët që të shpallet ky konkurs.
Krasniqi tha se e kupton se dikush edhe mund të jetë emicional, por se duhet të vijojnë me proceisn që sistemit t’i japin Kryeprokurorin e Shtetit, andaj i njëjti bëri thirrje që të ushtrohen detyrat që Këshilli ka.
Në fund, me pesë vota për, u votua për shpalljen e konkursit.