Komuna e Butelit dhe drejtoresha e shkollës “Penko” po e arsyetojnë mospranimin e nxënësve nga Çairi me ligjin për arsimin dhe rajonizimin e shkollave.
Por kjo ngre pikëpyetje, sidomos për faktin se aktualisht në “Penko” ka nxënës që jetojnë në territorin e Çairit. Andaj, është e paqartë pse këtë vit nuk po u mundësohet regjistrimi në klasën e parë fëmijëve që gravitojnë në Çair.
Në një prononcim të saj, në faqen e shkollës, drejtoresha Mevlide Kryeziu duket se më shumë po brengoset për zvogëlimin numrit të nxënësve në shkollat e Çairit, nëse ata pranohen në shkollat e Butelit.
“Ky vendim është marrë edhe në interesin më të mirë të fëmijëve dhe me qëllim të ruajtjes së qëndrueshmërisë së paraleleve, duke pasur parasysh se në të kaluarën pranimi i nxënësve jashtë rajonit ka ndikuar në numrin e nxënësve dhe ka krijuar rrezik për zvogëlimin apo mbylljen e paraleleve në shkollat e Komunës së Çairit”, tha Mevlude Kryeziu – Drejtoreshë e SHFK “Penko”.
Kryetari i Butelit, Darko Kostovski, është i vendosur se regjistrimi duhet të bëhet sipas zonës së përcaktuar të shkollës dhe se Buteli nuk mund të pranojë nxënës nga komunat tjera.
“Thelbi është i thjeshtë: në përputhje me Ligjin për Arsimin Fillor dhe rajonizimin e përcaktuar, regjistrimi i nxënësve bëhet sipas zonës së shkollës fillore. Në rastin konkret, nga Komuna e Butelit kërkohet që të veprojë në kundërshtim me këto rregulla. Më konkretisht, që shkollat tona fillore të pranojnë fëmijë nga komunat e tjera”, deklaroi Darko Kostovski – kryetar i Komunës së Butelit.
Por, qëndrimi i zv.ministrit të Arsimit, Driton Sulejmani, e vendos çështjen në një tjetër perspektivë.
Ai thotë se ligji lejon mundësi për pranimin e nxënësve nga komunat tjera, sidomos kur ata janë në afërsi të shkollës dhe kur numri i nxënësve në paralele është i vogël.
“Ligji e lejon kryetarin e komunës ose diçka të tillë që të mos pranojë nxënës nga komunat tjera, mirëpo rajonizimi i shkollës ka një territor të caktuar dhe të gjithë nxënësit që i takojnë atij territori kanë të drejtën pastaj që të regjistrohen në shkollën konkrete.Sidomos në rastet kur, ta zëmë, numri i nxënësve është më i vogël dhe në mënyrë të tillë i jepet mundësia që të formohet paralele duke marrë edhe nxënës që mund t’i takojnë një komune tjetër, mirëpo janë në afërsi të shkollës.Mendoj që në këtë rast konkret do të gjendet një zgjidhje e caktuar dhe gjithsesi mendoj që paraleleja mund të shpëtohet dhe nuk duhet të mbyllet”, u shpreh Driton Sulejmani – zëvendësministër i Arsimit.
Përderisa Komuna dhe shkolla thirren në rajonizim mbetet dilema se a duhet të jetë kufiri administrativ më i rëndësishëm se afërsia e fëmijëve me shkollën.
Zëvendësministri Sulejmani tha se Ministria e Arsimit tashmë po e ndjek rastin dhe paralajmëroi se do të kërkojë të gjitha informacionet nga shkolla, Komuna e Butelit dhe prindërit, për të gjetur një zgjidhje në përputhje me ligjin dhe në interes të nxënësve.
Sipas tij, nëse paralelja ka 18 nxënës siç është përmendur, nuk ka arsye të mbyllet, ndërsa zgjidhja mund të gjendet nëse shkolla dhe Komuna e Butelit i drejtohen Ministrisë për miratimin e saj. /tv21
