Ekipi kombëtar i Kosovës ka intensifikuar punën para miqësores së 7 qershorit në “Fadil Vokrri” ndaj Andorrës, ndërsa portieri Arijanet Muric do t’i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore pas një shqetësimi të ndier në stërvitje.
Kombëtarja e Kosovës ka vazhduar sot (e mërkurë) përgatitjet për ndeshjen miqësore kundër Andorrës, e cila do të zhvillohet më 7 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Nën drejtimin e përzgjedhësit Franco Foda dhe stafit të tij, futbollistët dardanë kanë zhvilluar një tjetër seancë stërvitore intensive, ku fokusi kryesor ka qenë te aspekti taktik, organizimi i lojës dhe përmirësimi i koordinimit mes reparteve.
Sipas njoftimit nga kampi i Kombëtares, atmosfera brenda ekipit vazhdon të jetë shumë pozitive, ndërsa lojtarët po tregojnë përkushtim maksimal dhe disiplinë të lartë në çdo seancë stërvitore. Entuziazmi në grup mbetet i madh, teksa futbollistët synojnë të paraqiten sa më mirë para tifozëve në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Megjithatë, gjatë stërvitjes së sotme ka pasur edhe një moment shqetësues. Portieri Arijanet Muric ka ndier shqetësim në muskujt e kërdhokullës së djathtë, duke ngritur pikëpyetje rreth gjendjes së tij fizike.
Stafi mjekësor i Kombëtares do të kryejë ekzaminimet e nevojshme në orët në vijim për të vlerësuar shkallën e problemit dhe për të përcaktuar nëse gardiani dardan do të jetë i gatshëm për ndeshjen kundër Andorrës.
Kosova do ta shfrytëzojë këtë miqësore për të testuar formën e lojtarëve dhe për të vazhduar ndërtimin e skuadrës para sfidave të ardhshme zyrtare, me synimin për të ruajtur ritmin dhe konkurrencën brenda grupit. /Telegrafi/
