Përfaqësuesja e Kosovës shihet favorite përballë Izraelit në ndeshjen e vlefshme për Ligën B, Grupin 3, të Ligës së Kombeve, e cila zhvillohet të shtunën, më 14 nëntor, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Sipas parashikimit statistikor të dhënë për këtë përballje, Kosova ka rreth 46 për qind mundësi për të fituar ndeshjen, ndërsa barazimi vlerësohet me 27 për qind. Edhe Izraeli ka 27 për qind gjasa për të dalë fitues.
Këto shifra e vendosin Kosovën në pozitën e favorites, por njëkohësisht tregojnë se përballja pritet të jetë e hapur dhe me rivalitet deri në fund.
Kosova më lart në tabelën e grupit
Para kësaj ndeshjeje, Kosova renditet në vendin e dytë të Grupit B3 me pesë pikë të grumbulluara në katër ndeshje, ndërsa Izraeli ndodhet në pozitën e fundit me vetëm dy pikë.
Dardanët synojnë të shfrytëzojnë përparësinë e terrenit vendas për të marrë tri pikë të rëndësishme, të cilat do t’i mbanin në garë për pozitat e para të grupit.
/GazetaBlic Sport/

