Kosova ka shënuar progres në parandalimin e kancerit të qafës së mitrës, duke arritur mbulim prej 87 për qind me vaksinën kundër virusit HPV në mesin e grupit të synuar të nxënësve të klasave të gjashta, ku përfshihen vajzat dhe djemtë.
Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Shëndetësisë, e cila ka vlerësuar se ky rezultat paraqet një hap të rëndësishëm drejt mbrojtjes së gjeneratave të reja dhe parandalimit të sëmundjeve që shkaktohen nga virusi HPV, transmeton lajmi.net.
Sipas Ministrisë, Kosova renditet ndër vendet me nivelin më të lartë të vaksinimit kundër HPV-së në rajon. Këto të dhëna janë prezantuar në një tryezë të organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, në kuadër të Ditës Botërore për Eliminimin e Kancerit të Qafës së Mitrës.
Vaksina kundër HPV-së është përfshirë në kalendarin e rregullt të vaksinimit në vitin 2023. Procesi i vaksinimit të vajzave ka nisur në vitin 2024, ndërsa një vit më vonë programi është zgjeruar edhe për djemtë, duke mundësuar mbrojtje më të gjerë për të dyja gjinitë.
Përveç vaksinimit, institucionet shëndetësore kanë filluar edhe zbatimin e Planit të Veprimit për Skriningun e Kancerit të Qafës së Mitrës për periudhën 2026–2028. Gjithashtu, është hartuar dhe miratuar Procedura Standarde Operative për skriningun, ndërsa ka nisur procesi për sigurimin e seteve dhe testeve Pap-test në institucionet e Kujdesit Parësor Shëndetësor.
Këto masa synojnë të lehtësojnë qasjen e grave në shërbimet e kontrollit parandalues dhe të mundësojnë zbulimin e hershëm të sëmundjes.
Megjithatë, kanceri i qafës së mitrës vazhdon të mbetet një çështje e rëndësishme shëndetësore në vend. Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, gjatë vitit 2025 janë regjistruar 119 raste të kësaj sëmundjeje.
Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje prindërve që t’i vaksinojnë fëmijët sipas kalendarit të rregullt të imunizimit, ndërsa gratë i ka inkurajuar të informohen në Qendrat e Mjekësisë Familjare për kontrollet parandaluese dhe mundësitë e skriningut./lajmi.net/

