Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka marrë pjesë në edicionin e 55-të të St. Gallen Symposium 2026 në Zvicër, ku ka prezantuar prioritetet e Kosovës në zhvillimin industrial dhe investimet.
Sipas njoftimit, forumi i sivjetmë u mbajt nën temën “Disrupted Age”, duke trajtuar transformimet globale në fushën e gjeopolitikës, teknologjisë dhe ndryshimeve demografike.
Në këtë forum ndërkombëtar, ministrja Kusari-Lila theksoi rëndësinë e përfaqësimit të Kosovës në diskutime globale.
“Ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në diskutime të tilla ndërkombëtare për të prezantuar perspektivën e vendit dhe forcimin e rolit të Kosovës në proceset globale dhe ekonomike”, thuhet në njoftim.
Gjatë vizitës në Zvicër, Kusari-Lila zhvilloi edhe një takim bilateral me ministren e Financave të Konfederatës Zvicerane, Karin Keller-Sutter, ku u diskutua për avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe zhvillimor ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.
Sipas njoftimit, në takim u diskutua edhe për efektet e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me vendet e EFTA-s.
“Ratifikimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me vendet e EFTA-s pritet të ndikojë në rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik në mes dy vendeve”, thuhet tutje.
Po ashtu, ministrja vlerësoi rolin e diasporës kosovare në Zvicër dhe rëndësinë e saj në forcimin e lidhjeve ekonomike mes dy vendeve.
“Zhvillimi industrial dhe forcimi i prodhimit vendor mbeten të rëndësishme për ndërtimin e një ekonomie më të qëndrueshme dhe konkurruese”, theksohet në njoftim.
Në kuadër të St. Gallen Symposium 2026, Kusari-Lila mori pjesë edhe në panelin me temën “Fuqia e politikës përballë politikës së fuqisë – Ruajtja e interesave strategjike në një botë të re”, ku ishin pjesëmarrës edhe Kelly Craft, Kęstutis Budrys dhe Emma Theofelus. /Telegrafi/