Përfaqësuesja e Kosovës ka pësuar një humbje të rëndë në Dublin, duke u mposhtur 3-0 nga Irlanda në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve të UEFA Nations League.
Dardanët e mbyllin kështu këtë edicion në vendin e tretë të grupit, duke siguruar qëndrimin në Ligën B, por me një paraqitje që lë shumë pikëpyetje për vazhdimësinë.
Një moment vendimtar i ndeshjes ishte gabimi i Kreshnik Hajrizit, i cili preku topin me dorë në zonë dhe shkaktoi penallti, nga e cila Irlanda kaloi në epërsi. Situata u vështirësua edhe më shumë me ndëshkimin me karton të kuq të tij.
Humbja në Dublin vjen pas barazimit zhgënjyes ndaj Izraelit, duke bërë që dy ndeshjet e fundit të lënë një shije të hidhur te tifozët kosovarë.
Përveç rezultatit dhe paraqitjes, kjo humbje ka pasoja edhe në aspektin e renditjes dhe pozitës së Kosovës në garat e ardhshme. Dardanët e mbyllin Ligën e Kombeve në vendin e tretë dhe nuk do të ngjiten në vazon e dytë për shortin e Euro 2028.
Një përfundim zhgënjyes për Kosovën, që kishte synime më të mëdha në këtë edicion, por që nuk arriti t’i përmbushte ato.
/GazetaBlic Sport/

