Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka paralajmëruar se ndryshimet e fundit në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës mund të ndikojnë negativisht në procesin e integrimit evropian të vendit.
Deklaratat e saj pasuan takimin me kryenegociatorin e Kosovës për integrim evropian, Jeton Zulfaj, me të cilin diskutoi për progresin e vendit në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Në një postim në platformën X, Kos vlerësoi përparimin e Kosovës në disa fusha, pavarësisht paqëndrueshmërisë institucionale gjatë dy vjetëve të fundit.
Ajo theksoi se Kosova ka shënuar rezultate në reformat që lidhen me sundimin e ligjit dhe në zbatimin e Planit të Rritjes, si dhe ka ndërmarrë hapa drejt anëtarësimit në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), transmeton Klankosova.tv.
Megjithatë, komisionarja evropiane shprehu kundërshtimin e saj ndaj ndryshimeve të fundit ligjore që lidhen me Dhomat e Specializuara.
“Ndryshimet e fundit në ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës janë të papranueshme”, shkroi Kos, duke paralajmëruar se miratimi dhe zbatimi i tyre do të ishte në kundërshtim me zotimet e Kosovës ndaj Bashkimit Evropian.
Sipas saj, një veprim i tillë do të përbënte “një hap të rëndë prapa në rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së”.
Kos theksoi se respektimi i sundimit të ligjit dhe garantimi i pavarësisë së institucioneve gjyqësore janë kushte thelbësore për përparimin e mëtejshëm të Kosovës në procesin e integrimit evropian, transmeton Klankosova.tv.
“Respektimi i sundimit të ligjit dhe institucionet e pavarura gjyqësore janë thelbësore për përgatitjen e hapave të mëtejshëm në rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së”, përfundoi ajo.
I discussed Kosovo’s EU integration path with Chief Negotiator @JetonZulfaj today.
In spite of the institutional instability in the past 2 years, Kosovo has advanced with reforms on the rule of law and the Growth Plan. It has made good progress towards the introduction of SEPA.… pic.twitter.com/n1ktwE9ksr
— Marta Kos (@MartaKosEU) October 15, 2026

