Kosova, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina mbeten pa fonde nga Plani i Rritjes, bëri me dije sot Komisionerja për Zgjerim e BE’së, Marta Kos, në samitin që po mbahet në Tiranë.
Ndërkohë, BE ndau miliona të tjera për Shqipërinë, Malin e Zi e Maqedoninë e Veriut që kanë përmbushur reformat e kërkuara për të marrë këto fonde.
Në këtë tryezë ku janë mbledhur Kos e liderët rajonalë, ajo iu drejtua kryeministrit Albin Kurti, me njoftimin së në fillim të dhjetorit do të vijë në Kosovë.
“Në Kosovë, i dashur Albin, qeveria e re është gjithashtu mundësi e re për të pasë një fokus të ri për rrugëtimin e Kosovës drejt BE’së. Kjo është një mundësi për të arritur reforma dhe për të marrë më shumë fonde dhe me shumë kënaqësi në fillim të dhjetorit do të vij në Kosovë për të folur se si mund ta çojmë më tej këtë proces dhe se si mund ta zgjerojmë atë meqë tashmë ju i keni të gjitha institucionet e formuara”, tha Kos.
Në fjalimin e saj hapës, Kos dha rezultatet e shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe shprehu se Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë performuar më mirë gjatë, ndaj dhe do të shpërblehen me më shumë fonde.
Ndërkohë, Kos i tha zëvendëskryetarit të Kuvendit të Serbisë, i cili po përfaqëson shtetin e tij në këtë samit, se qeveria e kaluar përkundër që është dakorduar për reformat, nuk i ka përmbushur ato.

