Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, ka paralajmëruar se do ta vizitojë Kosovën në fillim të dhjetorit, me qëllim të diskutimit për zbatimin e reformave në kuadër të Planit të Rritjes dhe mundësitë për përfitimin e më shumë fondeve evropiane.
Gjatë fjalës së saj në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, që po mbahet në Tiranë, Kos është ndalur edhe te rrugëtimi i Kosovës drejt Bashkimit Evropian, duke e cilësuar formimin e qeverisë së re si një mundësi për rifokusimin e procesit të integrimit evropian.
Ajo i është drejtuar drejtpërdrejt kryeministrit Albin Kurti, duke theksuar se tashmë që Kosova i ka të gjitha institucionet e formuara, ekziston mundësia për të avancuar reformat dhe për të përfituar më shumë fonde nga Plani i Rritjes.
“Në Kosovë i dashur Albin, qeveria e re është gjithashtu një mundësi e re për të pasur një fokus të ri për rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së. Kjo është një mundësi për të arritur reformat që ofrohen nga Plani i Rritjes dhe për të marrë më shumë fonde. Me shumë kënaqësi do të vij në Kosovë në fillim të dhjetorit për të folur se si mund ta çojmë më tej këtë proces dhe ta zgjerojmë atë, tashmë që ju i keni të gjitha institucionet dhe mezi po e pres këtë gjë”, tha Marta Kos.

