Një person është arrestuar në fshatin Mazrek të Gjakovës, pasi gjatë kontrollit të veturës dhe më pas në shtëpinë e tij, Policia ka gjetur dhe konfiskuar një armë automatike dhe gjithsej 129 fishekë.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti është regjistruar më 17 tetor, rreth orës 16:00, kur zyrtarët policorë kanë ndaluar një veturë me targa civile, të cilën po e drejtonte i dyshuari, shtetas i Kosovës.
Gjatë kontrollit të veturës, policia ka gjetur një armë të gjatë automatike, 27 fishekë dhe një karikator, transmeton Klankosova.tv.
Ndërkaq, gjatë kontrollit të mëvonshëm në shtëpinë e të dyshuarit, janë gjetur edhe 102 fishekë të tjerë.
I dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Rasti po hetohet për veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe municionit.

