Një operacion i përbashkët mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve greke rezultoi në zbulimin dhe sekuestrimin e një arsenali të konsiderueshëm armësh zjarri dhe municioni luftarak.
Gjatë kontrolleve në banesa të disa shtetasve shqiptarë të dyshuar për vrasje me pagesë, u gjetën tre armë automatike, qindra fishekë dhe krehra armësh. Armët dhe municioni ishin fshehur në banesën e një prej të arrestuarve në Greqi, i cili dyshohet për përfshirje në aktivitete kriminale dhe u arrestua dy ditë më parë me akuza për vrasje dhe pjesëmarrje në grup kriminal, që posedonte armë zjarri.
Operacioni policor, i koduar “Provat”, u zhvillua në disa qytete shqiptare, përfshirë Gjirokastrën, Vlorën dhe Lezhën, pas shkëmbimit të informacionit me autoritetet greke për kapjen e disa shtetasve shqiptarë.
Në Labovë e Kryqit, Policia e Gjirokastrës gjeti të fshehura armët dhe municionin në banesën e shtetasit Dh. M., 45 vjeç. Përveç kallashnikove dhe armës tjetër automatike, kontrolli zbuloi qindra fishekë të kalibrave të ndryshëm, të dyshuar të trafikuar.
Armët e sekuestruara do të dërgohen tek Instituti i Policisë Shkencore për ekspertim teknik, ndërsa hetimet ndaj të dyshuarve vijojnë në bashkëpunim të ngushtë me homologët grekë.
Struktura e Policisë Kriminale, në koordinim me DVP-të e Gjirokastrës, Vlorës dhe Lezhës, po dokumenton veprimtarinë kriminale të katër shtetasve shqiptarë: Dh. M., 45 vjeç nga Labova e Kryqit; A. B., 32 vjeç nga Kudhësi, Himarë; F. P., 39 vjeç nga Lezha; dhe P. Th., 31 vjeç nga Muzina, Sarandë. Të katërt dyshohen si vrasës me pagesë.
Materialet procedurale janë dorëzuar pranë Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Hetimet vazhdojnë për të identifikuar të gjitha lidhjet dhe aktivitetet kriminale të të dyshuarve.