Në Gazë, një nga zonat më të rrezikshme dhe më të paqëndrueshme në botë, Kosova po hyn për herë të parë në një mision ndërkombëtar stabilizues, të mandatuar nga Kombet e Bashkuara.
Bordi i Paqes ka njoftuar se pjesëtarë të rinj të saj i janë bashkuar misionit ndërkombëtar në Gaza, duke mbështetur përpjekjet për siguri në këtë territor.
Përmes një njoftimi në rrrjetin social “X”, Bordi i Paqes bëri të ditur se anëtarët më të rinj të kontingjentit do të angazhohen në fusha të ndryshme, përfshirë logjistikën dhe çështjet civile.
“FSK mirëpret anëtarët më të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ekip. Ata do të mbështesin përpjekjet për siguri në Gaza në fusha si logjistika dhe çështjet civile”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Pjesëmarrja e FSK-së në misione ndërkombëtare konsiderohet pjesë e angazhimit të Kosovës për të kontribuar në operacionet e sigurisë dhe stabilitetit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
Forca Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF) buron nga një plan 20-pikësh i presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Gazë.
Ajo parashihet si një forcë shumëkombëshe, që do të vendoset në këtë enklavë për të trajnuar policinë, për të ndihmuar në sigurimin e kufijve dhe ruajtjen e rendit, si dhe për të mbështetur çmilitarizimin e territorit nga Hamasi.
Ky grup palestinez, i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi të tjera, kontrollon Gazën që nga viti 2006 dhe e ndezi luftën me sulmin e tij masiv në territorin izraelit në tetor të vitit 2023.
Ai sinjalizon gatishmëri për të hequr dorë nga qeverisja e Gazës, por jo edhe nga armët, ndërsa Trump e mban të prerë qëndrimin e tij.
Përbërja e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese nuk është përcaktuar ende plotësisht, por, sipas Rezolutës 2803 të OKB-së, ajo pritet të veprojë në koordinim me Izraelin dhe Egjiptin, si dhe me një forcë policore palestineze të trajnuar rishtas./Telegrafi.
