KORREKT / SOT20 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Konjufca kritikon raportin e UNMIK-ut: Paraqet në mënyrë selektive zhvillimet politike në Kosovë

Konjufca kritikon raportin e UNMIK-ut: Paraqet në mënyrë selektive zhvillimet politike në Kosovë

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ka deklaruar se Kosova vazhdon të jetë një nga demokracitë më stabile në Evropën Juglindore, duke theksuar përparimin në forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Duke iu referuar raportit të fundit për Kosovën, Konjufca ka thënë se ai paraqet në mënyrë selektive zhvillimet politike në vend, duke lënë jashtë disa çështje të rëndësishme.

“Kosova vazhdon të mbetet një nga demokracitë më stabile në Evropën Juglindore, me një nga përmirësimet më të shpejta në treguesit demokratikë”, ka deklaruar Konjufca.

Ai ka theksuar se vlerësimet e pavarura tregojnë përparim në luftën kundër korrupsionit, forcimin e sundimit të ligjit dhe institucioneve demokratike, mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe avancimin e demokracisë.

Ministri ka përmendur edhe zgjedhjet parlamentare të mbajtura në qershor, të cilat, sipas tij, u zhvilluan në mënyrë të lirë, të drejtë dhe demokratike, duke mundësuar konsolidimin e Kuvendit, konfirmimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentes.

Ai ka rikujtuar se delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili monitoroi zgjedhjet, i përshkroi ato si të zhvilluara në mënyrë të qetë, të rregullt dhe profesionale, duke vlerësuar përkushtimin e qytetarëve të Kosovës ndaj demokracisë, pavarësisht rrethanave të vështira.

“Kosova ka dëshmuar edhe një herë se ka ndërtuar një sistem të fortë, demokratik, rezistent dhe të qëndrueshëm politik e juridik”, ka thënë Konjufca.

Ai ka shtuar se, pas konsolidimit të institucioneve, Qeveria do të vazhdojë agjendën për zhvillim socio-ekonomik, drejtësi dhe siguri.

Konjufca flet për veprimet e Qeverisë në veri

Duke folur për situatën në veri të Kosovës, Konjufca ka thënë se përpjekjet e Qeverisë për të promovuar paqen, sigurinë dhe prosperitetin në të gjithë territorin e vendit, përfshirë zonat e banuara me komunitete joshumicë, po japin rezultate pozitive.

Ai ka mbrojtur mbylljen e strukturave që i ka cilësuar ilegale dhe të operuara nga Serbia, duke pretenduar se ato synonin të pengonin integrimin ndëretnik dhe të minonin institucionet demokratike të Kosovës.

Sipas tij, këto veprime kanë krijuar kushte për siguri më të madhe juridike dhe trajtim të barabartë për të gjitha komunitetet.

“Asnjë qytetar nuk ka mbetur dhe nuk do të mbetet pa shërbime bazë apo shërbime të tjera”, ka deklaruar Konjufca.

Ai ka theksuar se Policia e Kosovës, në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in dhe EULEX-in, vazhdon të angazhohet për ruajtjen e rendit dhe ligjit dhe garantimin e sigurisë për qytetarët.

Konjufca ka thënë se përmirësimi i situatës së sigurisë në komunat veriore ka krijuar kushte që autoritetet e Kosovës të thellojnë integrimin dhe të bashkëpunojnë drejtpërdrejt me komunitetin serb, të cilin e ka cilësuar si pjesë të barabartë të shoqërisë kosovare.

Në këtë kontekst, ai ka përmendur hapjen e zyrave për çështje kadastrale, regjistrimin e bizneseve, pensionet, punësimin, energjinë elektrike dhe administratën tatimore në komunat veriore.

Po ashtu, ka theksuar investimet në infrastrukturën rrugore dhe banesore, si dhe lirimin e pronave publike dhe private që, sipas tij, ishin uzurpuar në mënyrë të paligjshme.

Konjufca ka përfunduar duke theksuar se Qeveria do të vazhdojë angazhimin për sigurinë, zhvillimin dhe integrimin e të gjitha komuniteteve në Kosovë. /Lajmi.net/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.