Keith Self është kongresmeni i tretë amerikan që reagon në lidhje me protestën që kulmoi këtë të shtunë në Tiranë.
Ai ka reaguar për protestat në Shqipëri, duke theksuar se ato pasqyrojnë mosbesimin e qytetarëve ndaj politikanëve të korruptuar dhe pakënaqësinë për mosrespektimin e sundimit të ligjit.
Self u ka bërë thirrje udhëheqësve shqiptarë të dëgjojnë kërkesat e qytetarëve për ndryshime thelbësore, të cilat, sipas tij, duhet të krijojnë mundësi ekonomike dhe të nxisin stabilitetin rajonal.
“Protestat në Shqipëri janë kulmimi i mosbesimit të popullit ndaj politikanëve të korruptuar dhe lodhjes nga mosvlerësimi total i sundimit të ligjit. Udhëheqësit e Shqipërisë duhet të dëgjojnë thirrjet për ndryshime thelbësore që do të sjellin mundësi ekonomike dhe do të nxisin stabilitetin rajonal”, shkruan kongresmeni amerikan.
Self bëhet kështu kongresmeni i tretë amerikan, që ka reaguar në lidhje me protestat studentore që po mbahen në Tiranë.
Para tij reaguan edhe kongresmenët Joe Wilson dhe Robert Aderholt. Të tre kongresmenët kërkojnë që situata në Shqipëri të mos përshkallëzohet, dhe i bëjnë thirrje qeverisë shqiptare, që të ulet në dialog dhe të dëgjojë protestuesit.

