Policia e Kosovës ka konfiskuar tri armë zjarri në dy raste të ndara në Ferizaj, ndërsa ndaj personave të dyshuar janë iniciuar procedura penale.
Rasti i parë ka ndodhur më 13 prill rreth orës 21:20, kur hetuesit rajonalë kanë identifikuar një person të dyshuar për posedim të kundërligjshëm të armës së zjarrit.
I dyshuari, G.R. (47 vjeç), pas kontaktit me policinë, ka pranuar se posedonte armë në banesën e tij në rrugën “12 Qershori”.
Gjatë kontrollit, policia ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë.
Ai është shoqëruar në stacion policor dhe, me autorizim të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rast për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Ndërkohë, rasti i dytë ka ndodhur më 15 prill rreth orës 18:50 në fshatin Nekodim, ku policia ka intervenuar pas një mosmarrëveshjeje mes dy personave.
Pas trajtimit të rastit, është konstatuar se bëhej fjalë për kanosje, ku i dyshuari P.R. (35 vjeç) kishte kërcënuar M.R. (43 vjeç).
Gjatë intervistimit, i dyshuari ka pranuar se posedonte armë në shtëpinë e tij.
Me urdhër të prokurorit, policia ka realizuar kontrollin, ku janë sekuestruar një pushkë gjahu, një pistoletë me dy karikatorë dhe një sasi municioni.
Ndaj të dyshuarit është iniciuar rast për veprën penale “Kanosja”, ndërsa hetimet lidhur me këto raste janë duke vazhduar. /Telegrafi/

