KORREKT / SOT20 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Komuna e Prishtinës kërkon ndihmën e deputetëve të Kuvendit për zhbllokimin e projektit për mbeturinat

Komuna e Prishtinës kërkon ndihmën e deputetëve të Kuvendit për zhbllokimin e projektit për mbeturinat

Nënkryetarja e Kryeqytetit, Besianë Musmurati, ka njoftuar sot se Komuna e Prishtinës u është drejtuar me letra zyrtare deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar angazhimin e tyre institucional për zhbllokimin e projektit prej 74.1 milionë eurosh për modernizimin e sistemit të menaxhimit të mbeturinave në rajonin e Prishtinës.

Në një konferencë për media, Musmurati theksoi se projekti, i përgatitur në bashkëpunim me bankën gjermane KfW, parasheh investime për blerjen e rreth 100 kamionëve të rinj, 10 mijë kontejnerëve, ndërtimin e qendrës për riciklimin dhe kompostimin e mbeturinave, si dhe modernizimin e shërbimeve të pastrimit.

Ajo rikujtoi se për këtë projekt është punuar që nga viti 2023, në bashkëpunim ndërmjet Komunës së Prishtinës, KRM “Pastrimi”, Ministrisë së Financave dhe KfW-së, ndërsa Qeveria e Kosovës ka miratuar në parim nismën për marrëveshjen e kredisë më 18 dhjetor 2024.

“Nuk po flasim për një ide që duhet të nisë nga zero. Po flasim për një projekt të përgatitur dhe të dakorduar mes palëve, i cili vazhdon të mbetet pa nënshkrimin e ministrit të Financave, Hekuran Murati”, deklaroi Musmurati.

Nënkryetarja e cilësoi mosnënshkrimin e marrëveshjes si bllokadë të motivuar politikisht, duke theksuar se pasojat po i bartin qytetarët e Prishtinës.

“Prishtina nuk mund të vazhdojë të paguajë çmimin e inateve partiake”, u shpreh ajo.

Përmes letrave zyrtare, Komuna e Prishtinës u kërkon deputetëve që të përdorin mekanizmat parlamentarë për të kërkuar sqarime nga Ministria e Financave lidhur me arsyet e mosnënshkrimit të marrëveshjes dhe të angazhohen për tejkalimin e bllokadës.

Letrave u janë bashkëngjitur edhe tri dokumente zyrtare:

1. Dokumenti i KfW-së lidhur me projektin dhe financimin e tij.
2. Vendimi i Qeverisë së Kosovës i datës 18 dhjetor 2024, për miratimin në parim të nismës për marrëveshjen e kredisë.
3. Letra e përbashkët e Komunës së Prishtinës, KRM “Pastrimi” dhe KfW-së, drejtuar Ministrisë së Financave më 15 maj 2026.

“Deputetëve nuk po u drejtohemi vetëm me një kërkesë. Po ua dorëzojmë edhe dokumentacionin që dëshmon se ky projekt është përgatitur dhe se institucionet janë njoftuar zyrtarisht për nevojën e finalizimit të tij. Presim që deputetët ta ushtrojnë përgjegjësinë e tyre institucionale dhe të kërkojnë llogaridhënie”, theksoi Musmurati.

Në përfundim, Nënkryetarja kërkoi përgjigje të qarta nga Ministria e Financave për arsyet e mosnënshkrimit të marrëveshjes dhe hapat konkretë që duhet të ndërmerren për realizimin e këtij investimi.

“Sot po i dorëzojmë letrat. Tani presim përgjigje, përgjegjësi dhe veprime konkrete”, përfundoi Musmurati.

 

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.