Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka njoftuar se gjatë gjithë muajit tetor, gratë në këtë komunë do të mund të kryejnë mamografi dhe ultrazë pa pagesë në QKMF “Dr. Shpëtim Robaj”.
Sipas Kastratit, kjo nismë është ndërmarrë në kuadër të Muajit Rozë, që i kushtohet ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.
Ai ka thënë se ofrimi i këtyre shërbimeve pa pagesë synon të lehtësojë qasjen e grave në kontrolle parandaluese dhe t’i inkurajojë ato që të kryejnë kontrollet me kohë.
“Zbulimi i hershëm mund të shpëtojë jetë”, ka theksuar Kastrati.
Shërbimet e mamografisë dhe ultrazërit do të jenë në dispozicion pa pagesë gjatë gjithë muajit tetor në QKMF “Dr. Shpëtim Robaj” në Malishevë. /Telegrafi/