Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, ka reaguar pas paraqitjes së rasteve me simptoma të gastroenteritit në këtë komunë, duke thënë se situata po monitorohet nga afër dhe se institucionet janë angazhuar për menaxhimin e saj.
Ai ka bërë të ditur se nga 13 deri më 15 korrik, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare janë trajtuar 110 persona me simptoma të gastroenteritit, ndërsa pesë raste janë referuar për trajtim të mëtejmë në Spitalin Rajonal të Ferizajt dhe në QKUK.
Sipas tij, për pacientët janë ofruar rreth 300 terapi venoze, ndërsa QKMF-ja disponon me terapi dhe materiale të mjaftueshme për trajtimin e rasteve.
“Që nga momenti i parë, bashkë me Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe institucionet përgjegjëse, jemi angazhuar maksimalisht për menaxhimin e situatës dhe ofrimin e kujdesit të nevojshëm për secilin qytetar”, ka deklaruar ai.
Kryetari ka njoftuar se mostrat janë marrë dhe janë dërguar për analiza në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, ndërsa rezultatet zyrtare pritet të përcaktojnë shkakun e rasteve të paraqitura.
Ai ka bërë thirrje për kujdes dhe ka kërkuar nga qytetarët që të mos u besojnë informatave të pakonfirmuara.
“Çdo informacion i ri do të bëhet publik në kohë nga institucionet përkatëse”, ka thënë ai, duke apeluar për respektimin e masave të higjienës, veçanërisht gjatë temperaturave të larta./Telegrafi/
