Komuna e Fushë Kosovës ka nisur punimet në rrugën “Pajazit Islami”, në kuadër të një projekti investiv me vlerë 650 mijë euro.
Drejtori i Investimeve Kapitale në Fushë Kosovë, Arianit Tërmkolli, ka bërë të ditur se projekti parasheh ndërhyrje në disa segmente të infrastrukturës së kësaj rruge.
“Po vazhdojmë me investimin në rrugën ‘Pajazit Islami’, me vlerë 650 mijë euro”, ka deklaruar Tërmkolli.
Sipas tij, në kuadër të projektit do të realizohet infrastruktura elektrike nëntokësore, kanalizimi atmosferik, parkingjet, shtegu për biçikleta dhe riasfaltimi i rrugës.
Vëmendje e veçantë, sipas Tërmkollit, do t’i kushtohet edhe rregullimit të trotuareve.
“Me theks të veçantë në hapësirat e trotuarit me kubeza moderne dhe lëvizje të lirë”, ka thënë ai.
Punimet do të zhvillohen në dy faza. Fillimisht do të realizohen instalimet infrastrukturore, ndërsa në fazën e dytë do të bëhet rregullimi i trotuareve.
Tërmkolli ka bërë të ditur se bashkë me nënkryetarin e Komunës së Fushë Kosovës, Shpend Bardiqi, dhe menaxherët e kontratës, kanë parë nga afër fillimin e punimeve. /Telegrafi/