Drejtori i Shërbimeve Publike në komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, ka deklaruar se kanë marrë mbështjetje nga komuna e Ferizajit për pastrimin e mbeturinave pas grevës së kompanisë “Pastrimi”, shkruan KP.
Musliu tha se kjo ndihmë përbën makineri, teksa shtoi se janë duke kontaktuar për mirëmbajtjen rrugore në mënyrë që të largohen mbeturinat nga rruga.
Ai ka fajësuar Qeverinë për rritjen e çmimit të deponisë për kompaninë “Pastrimi” duke ia pamundësuar kësaj të fundit të rrisë menjëherë pagat për punëtorë për shkak të obligimeve ndaj deponisë ku dërgohen mbeturinat.
Musliu poashtu tha se për komunën ka qenë befasi hyrja në grevë, teksa shtoi se komuna ishte e hapur për rritje të pagave deri në muajin maj për kompaninë “Pastrimi”.
“Bordi ka marrë një veprim, i ka treguar sindikatës që munden ta bëjnë një lëvizje në pagë mirëpo jo para muajit maj, për arsyeje se kanë pasur disa kalkulime financiare, kanë edhe obligime ndaj deponisë. Gjithashtu kemi bërë thirrje si komunë për një analizë financiare për çmimin e faturës, duke ditur që kemi një rritje të shpenzimeve, kostove operative edhe në ndërmarrjen ‘Pastrimi’ por edhe në komunat e tjera në vend kanë bërë një lëvizje të tillë, por lëvizjen më të madhe e ka bërë qeveria, e cila ka rritur çmimin e deponisë karshi ndërmarrjes pastrimi”, tha Musliu, shkruan KP, transmeton Reporteri.
Ndër të tjera ai tha se për 15 vite ndërmarrja ka pas një menaxhim të tillë dhe se duhet kohë për përmirësim.
“Bllokadat e tilla nuk janë formë për të gjetur zgjidhje me kërkesat që kanë, është dashtë që shërbimi të vazhdojë… Po ashtu ndërmarrja ‘Pastrimi’ nuk është tani në këtë gjendje por është një ndërmarrje të cilën e kemi trashëguar të tillë. Me rreth 15 vite ka pas një keqmenaxhim të tillë i cili e ka sjellë ndërmarrjen në një situatë tillë pa stabilitet financiar, pa makineri e ne të cilën ne prej fillimit e kemi trajtuar me prioritet”.
“Do të bëjmë maksimumin që deri nesër në mëngjes me pas një vendim të tillë dhe të ulemi në tavolinë sërish me sindikatën me një vendim që të vazhdojnë punën dhe a mundemi përfundimisht t’i japim zgjidhje këtij problemi, i cili në të njëjtën kohë edhe përgjegjësia është e madhe pasi ka të bëjë me shëndetin publik në kryeqytet për arsyeje se mund të vijmë deri tek një infeksion apo edhe të diçka më e keqe”, deklaroi Musliu.
Për grevën ka reaguar edhe i pari i kryeqytetit, Përparim Rama, i cili tha se janë duke punuar për të gjetur një zgjidhje sa më shpejt.
Kompania “Pastrimi” është në grevë për mosrritjen e pagave dhe gjatë ditës së sotme Prishtina ka qenë e “mbuluar” nga mbeturinat.