Komuna e Drenasit ka njoftuar qytetarët e prekur nga dëmet e shkaktuara si pasojë e reshjeve të breshërit se kanë filluar procedurat për pranimin e kërkesave për vlerësimin e dëmeve.
Sipas njoftimit të komunës, kërkesat do të pranohen nga data 22 korrik deri më 29 korrik.
“Pas përfundimit të këtij afati, aplikimet për vlerësimin e dëmeve nga breshri nuk do të pranohen. Formularët e kërkesës mund të merren, të plotësohen dhe të dorëzohen çdo ditë pune, nga ora 08:00 deri në 16:00, në sportelet nr. 10 dhe 11, në katin përdhes të objektit të Komunës së Drenasit”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se kërkesat duhet t’u drejtohen Komisioneve për Vlerësimin e Dëmeve nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë e Tjera.
Komuna e Drenasit ka bërë apel që qytetarët e prekur të respektojnë afatin e përcaktuar dhe të dorëzojnë kërkesat me dokumentacionin e nevojshëm, në mënyrë që procesi i vlerësimit të dëmeve të zhvillohet sipas procedurave të parapara. /Telegrafi/
