Komuna e Drenasit ka njoftuar se ka vazhduar procesin e lirimit të hapësirave publike në Komoran, duke bërë të ditur se sot ka nisur rrënimi i një objekti në rrugën “Anton Çeta”, pasi një pjesë e tij, sipas komunës, ndodhej në hapësirë publike.
Në njoftimin e komunës thuhet se veprimet janë ndërmarrë në kuadër të procedurave ligjore për lirimin e hapësirave publike, ndërsa procesi po zhvillohet përmes Drejtorisë së Inspekcionit.
“Komuna e Drenasit, përkatësisht Drejtoria e Inspekcionit, sot në rr. Anton Çeta në Komoran ka filluar rrënimin e një objekti, një pjesë e të cilit ndodhej në hapësirë publike”, thuhet në njoftim.
Komuna ka bërë të ditur se punimet kanë nisur me bashkëpunimin e pronarit dhe se rrënimi po bëhet vetëm në pjesën që, sipas njoftimit, kishte zënë hapësirën publike.
“Me bashkëpunimin e pronarit, sot kanë nisur punimet për rrënimin e pjesës së objektit që kishte zënë hapësirën publike, duke mundësuar lirimin e kësaj hapësire dhe përgatitjen e saj për asfaltimin e rrugës në atë pjesë”, thuhet më tej.
Sipas komunës, procesi i lirimit të hapësirave publike do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, me synimin që të krijohet një mjedis më i rregullt dhe më i sigurt për qytetarët.
“Komuna do të vazhdojë edhe në ditët në vijim me zbatimin e procedurave ligjore për lirimin e hapësirave publike, me qëllim të krijimit të një mjedisi më të rregullt, më funksional dhe më të sigurt për të gjithë qytetarët”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/