Me ndeshjet e zhvilluara të premten mbrëma dhe mëngjesin e sotëm (e shtunë), Kupës së Botës i janë bashkuar edhe shumë skuadra të kualifikuara, por edhe plotë pesë çifte të reja që do të luajnë në fazën e 1/16-tës.
Me përfundimin e pjesës më të madhe të fazës së grupeve, Kupa e Botës 2026 po hyn në fazën ku gabimet nuk falen më.
Pas katër ndeshjeve të konfirmuara mëngjesin e së premtes, tani fazës së 1/16-tës i janë shtuar edhe pesë çifte të reja dhe mes tyre nuk mungojnë duelet që premtojnë futboll të nivelit më të lartë dhe emocione deri në vërshëllimën e fundit.
Franca–Suedia pritet të jetë një nga ndeshjet më interesante të kësaj faze. Francezët hynë në turne si një nga favoritët kryesorë për trofeun, ndërsa Suedia ka treguar organizim dhe karakter gjatë fazës së grupeve. Në letër, Franca konsiderohet favorite, por suedezët kanë dëshmuar se dinë t’ua vështirësojnë jetën skuadrave më të mëdha.
Një duel shumë intrigues pritet edhe mes Bregut të Fildishtë dhe Norvegjisë. Afrikanët kanë lënë përshtypje me disiplinën dhe forcën fizike, ndërsa Norvegjia vazhdon të konfirmojë se është një nga kombëtaret në ngritje. Kjo sfidë pritet të jetë ndër më të balancuarat e fazës eliminatore.
Vëmendja të madhe do të ketë edhe te Argjentina, e cila do të përballet me Kepin e Gjelbër. Kampionët në fuqi synojnë të vazhdojnë marshimin drejt mbrojtjes së titullit, por kombëtarja afrikane ka qenë një nga surprizat më të këndshme të këtij Botërori dhe do të kërkojë të shkruajë historinë me një eliminim sensacional të favoritëve.
Në këtë fazë do të zhvillohen edhe përballjet Gjermani–Paraguai dhe Australi-Egjipt, ndërsa tetë ndeshjet e mbetura të fazës së grupeve do të kompletojnë të gjitha çiftet e fazës së 1/16-tës.
Vlen të theksohet se katër përballjet e para të konfirmuara ishin: Afrika e Jugut-Kanada, Holanda – Maroku, SHBA-Bosnja dhe Hercegovina dhe Brazili–Japonia.
Pesë çiftet tjera të konfirmuara për fazën e 1/16-tës
Gjermania – Paraguai
Franca – Suedia
Bregu i Fildishtë – Norvegjia
Argjentina – Kepi i Gjelbër
Australia – Egjipti
/Telegrafi/
