Komisioni për Legjislacion do të mblidhet të hënën, më 5 tetor, për të shqyrtuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Mbledhja do të mbahet në orën 08:00, në sallën N-10 të Kuvendit të Kosovës.
Sipas njoftimit të kryetarit të Komisionit për Legjislacion, Vigan Qorrolli, në rend të ditës është shqyrtimi i projektligjit, pas ngarkimit të këtij komisioni me trajtimin e tij.
Gjatë mbledhjes pritet të shqyrtohen aspektet juridike të projektligjit, në përputhje me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi dhe procedurat parlamentare.
Në njoftim thuhet se deputetët dhe mediat janë të ftuar të marrin pjesë në mbledhje.
Shqyrtimi i këtij projektligji vjen në një kohë kur ka pasur kërkesa për procedimin dhe miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara. /Telegrafi/