Ish-ylli i Real Madridit dhe Arsenalit, Mesut Ozil, është shtuar në listën e “armiqve të Ukrainës” pas thirrjes për rikthimin e ekipeve ruse në garat ndërkombëtare.
Gjatë një forumi në Stamboll, ish-futbollisti gjerman me origjinë turke kritikoi FIFA-n dhe UEFA-n për atë që e cilësoi si “standard të dyfishtë” ndaj Rusisë dhe Izraelit.
Deklaratat e tij shkaktuan reagime në Ukrainë, ku një OJQ e ka përfshirë në bazën e të dhënave Myrotvorets, duke e akuzuar për shtatë shkelje, mes tyre propagandë lufte dhe përhapje të narrativave ruse.
Kujtojmë se ekipet ruse janë të përjashtuara nga garat ndërkombëtare që nga pushtimi i Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Ozil, kampion bote me Gjermaninë në vitin 2014, ka luajtur për Real Madridin dhe Arsenalin, ndërsa karrierën e përfundoi në vitin 2023.
/GazetaBlic Sport/

