Një kombëtare që mori pjesë në Kupën e Botës 2026 pritet të dorëzojë një ankesë zyrtare në FIFA për ndërhyrjen e pretenduar të presidentit amerikan Donald Trump në një vendim disiplinor gjatë turneut.
Edhe pse Trump mori pjesë vetëm në një ndeshje të Botërorit, finalen ku shpërndau medaljet dhe trofeun e Kupës së Botës për lojtarët dhe stafin e Spanjës dhe Argjentinës, ai arriti të shkaktojë polemika të mëdha.
Presidenti amerikan u kritikua pasi pranoi se kishte kontaktuar presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për rastin e sulmuesit amerikan Folarin Balogun.
Futbollisti i Shteteve të Bashkuara u përjashtua me karton të kuq në ndeshjen ndaj Bosnjë-Hercegovinës në fazën e 1/32-tës së finales. Një dënim i tillë zakonisht do të sillte një pezullim prej një ndeshjeje, duke e lënë atë jashtë sfidës së radhës.
Megjithatë, FIFA vendosi ta pezullojë zbatimin e dënimit për një periudhë prej 12 muajsh, duke i mundësuar Balogunit të luante në ndeshjen e 1/8-tës ndaj Belgjikës.
Ky vendim shkaktoi reagime të ashpra nga Federata Belge e Futbollit dhe UEFA, të cilat akuzuan FIFA-n se kishte “kaluar vijën e kuqe” me një vendim “të pakuptueshëm dhe të pajustifikueshëm”.
Tashmë, edhe pas përfundimit të Botërorit, Federata Norvegjeze e Futbollit ka konfirmuar se do të paraqesë një ankesë zyrtare në Komitetin e Etikës së FIFA-s për këtë çështje.
Presidentja e federatës norvegjeze, Lise Klaveness, kërkoi nga Gianni Infantino që të pranojë se FIFA kishte gabuar në trajtimin e rastit të Balogunit.
“Kur ndryshon një rregull në këtë mënyrë, futesh në një terren të rrezikshëm që mund ta vendosë në rrezik të gjithë futbollin. Është shqetësuese kur komprometohen rregullat themelore të lojës”, deklaroi Klaveness për The Times.
Ajo shtoi se vendimi ishte ndikuar nga faktorë të jashtëm.
“Ne të gjithë e dimë se ky vendim u ndikua nga forca të jashtme dhe nuk pati procesin e duhur”.
“Nëse filloni të përshtateni në këtë mënyrë ndaj liderëve shtetërorë dhe politikës, ndryshoni sjelljen e organizatës dhe vijën e kuqe të asaj që liderët shtetërorë duhet të ndikojnë. Dhe kjo ndodhi”.
Klaveness bëri të ditur se çështja do të diskutohet edhe në bordin drejtues të federatës norvegjeze, me synimin për ta dërguar më pas në organet përkatëse të FIFA-s./Telegrafi/
