Manchester United mund të humbasë një prej talenteve më të mëdha të akademisë, pasi 15-vjeçari JJ Gabriel po kërkon të largohet nga klubi pas një zhvillimi të papritur këtë javë.
Gabriel, i cili është pagëzuar me nofkën “Messi i vogël”, pritej të bëhej lojtari më i ri në histori të Manchester Unitedit që do të debutonte me ekipin e parë, në ndeshjen e Carabao Cup ndaj Brightonit të mërkurën mbrëma.
Megjithatë, situata ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Talenti anglez raportohet se ka kërkuar anulimin e regjistrimit të tij te United me efekt të menjëhershëm, duke hapur rrugën për një largim nga “Old Trafford”.
Interesimi për Gabriel është i madh, me disa klube që po monitorojnë situatën e tij. Mes tyre janë Real Madridi dhe Barcelona, ndërsa interesim kanë shfaqur edhe Paris Saint-Germain dhe Bayern Munich.
15-vjeçari shpreson që kontrata e tij me Manchester Unitedin të ndërpritet, në mënyrë që të mund të transferohet te një klub jashtë Anglisë sapo të mbushë 16 vjeç, më 6 tetor.
Edhe Chelsea dhe Arsenali janë të interesuar për të, por “Blutë” e Londrës aktualisht janë të penguar nga një dënim që ua ndalon regjistrimin e lojtarëve të rinj të akademisë.
Chelsea u dënua në mars me një ndalim në transferimet e akademisë për nëntë muaj, si dhe me një gjobë prej 750 mijë funteve, për shkelje në regjistrimin e futbollistëve të akademisë gjatë periudhës 2019-2022, kur pronar ishte Roman Abramovich.
Kjo do të thotë se Chelsea nuk mund të regjistrojë lojtarë të rinj të akademisë deri në fund të vitit, çka e komplikon një transferim të mundshëm të Gabrielit.
Në anën tjetër, burime pranë Manchester Unitedit insistojnë se klubi nuk ka ndërmend ta lirojë talentin nga regjistrimi, i cili është i vlefshëm deri në fund të sezonit.
Nëse United nuk e ndryshon qëndrimin, Chelsea do ta ketë të pamundur ta transferojë Gabrielin, ndërsa gara për talentin e cilësuar si “Messi i vogël” pritet të bëhet edhe më interesante në muajt e ardhshëm./Telegrafi/