Seriali i ri televiziv “Harry Potter”, i realizuar nga HBO, ka rikthyer debatet në rrjetet sociale pas publikimit të një klipi të ri, i cili ka marrë kritika nga një pjesë e madhe e fansave të sagës së famshme.
Klipi, i publikuar më 15 nëntor, sjell një skenë nga banketi tradicional në Hogwarts, ku Harry Potter, Ron Weasley dhe Hermione Granger shfaqen në sallën e madhe të shkollës së magjisë.
Në skenë shihen nxënësit duke brohoritur emrin e Dumbledore, ndërsa drejtori, i interpretuar nga John Lithgow, mbush tavolinat me ushqim përmes magjisë.
Megjithatë, ajo që duhej të ishte një moment emocionues për adhuruesit e Harry Potter, është shndërruar në një debat online.
Disa përdorues të rrjeteve sociale e kanë cilësuar serialin si “Temu Harry Potter”, duke aluduar se versioni i ri nuk arrin të përcjellë magjinë dhe atmosferën e filmave origjinalë.
Kritikat kryesore lidhen me ndriçimin, ngjyrat dhe pamjen vizuale të skenës. Sipas disa fansave, pamjet duken tepër të zbehta dhe pa ngrohtësinë që karakterizonte filmat e realizuar para më shumë se dy dekadash.
“Duket si një reklamë me tematikë Harry Potter, jo si një serial i vërtetë”, ishte një nga komentet e publikuara online.
Të tjerë kanë krahasuar skenën e re me filmin e vitit 2001, duke pretenduar se edhe efektet vizuale të filmit origjinal dukeshin më bindëse.
Megjithatë, jo të gjithë kanë reaguar negativisht. Një pjesë e fansave kanë vlerësuar përzgjedhjen e aktorëve dhe veçanërisht një bisedë mes Dumbledore dhe profesoreshës McGonagall, ku flitet për ngjashmërinë e Harry-t me babanë e tij, James Potter.
Seriali i ri do të sjellë një përshtatje më të detajuar të librave të J.K. Rowling, me synimin që secili sezon të trajtojë një libër të sagës.
Në rolin e Harry Potter është Dominic McLaughlin, Hermione Granger interpretohet nga Arabella Stanton, ndërsa Ron Weasley nga Alastair Stout.
Premiera e sezonit të parë, “Harry Potter and the Philosopher’s Stone”, është paralajmëruar për 25 dhjetor 2026 në HBO Max.
Mbetet të shihet nëse seriali do të arrijë t’i bindë fansat apo do të vazhdojë të përballet me krahasimet e pashmangshme me filmat origjinalë.

