KFOR-i ka përfunduar me sukses ushtrimin “Kelly’s Heroes 2026”, i cili është zhvilluar në Kampin Kelly, me qëllim forcimin e gatishmërisë operacionale dhe bashkëpunimit ndërmjet trupave shumëkombëshe.
Bëhet e ditur se në këtë ushtrim morën pjesë pjesëtarë të kontingjenteve gjermane, hungareze, italiane dhe rumune të KFOR-it, si dhe përfaqësues të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).
Sipas njoftimit të KFOR-it, ushtrimi përfshiu simulime për kontrollin e turmave dhe trazirave, përdorimin e mburojave, transportin ajror, topat e ujit dhe pajisjet jod vdekjeprurëse.
Po ashtu, në kuadër të aktiviteteve u përdorën dronë dhe sisteme kundër dronëve, për të testuar aftësinë e trupave për të vepruar në skenarë kompleksë.
KFOR-i theksoi në njoftim se përfundimi i suksesshëm i ushtrimit dëshmon përkushtimin e misionit për të ruajtur një nivel të lartë gatishmërie dhe për të forcuar koordinimin ndërmjet pjesëtarëve të tij.

