Komuna e Istogut ka njoftuar se shkolla “Hysni Zajmi” ka pranuar donacion prej 14 pajisjeve të kondicionimit nga KFOR-i Italian, të cilat do të përdoren në paralelet e ndara të kësaj shkolle në Prigodë dhe Studenicë.
Sipas njoftimit të Komunës, sot është realizuar ceremonia e nënshkrimit të pranim-dorëzimit të pajisjeve.
Në këtë aktivitet morën pjesë drejtori i Arsimit në Istog, Naim Behlulaj, komandanti i Komandës Rajonale Perëndimore të KFOR-it, kolonel Giuseppe De Blasi, si dhe drejtori i shkollës, Faton Maraj.
Me këtë rast, Behlulaj ka falënderuar KFOR-in Italian dhe komandantin De Blasi për mbështetjen dhe kontributin në përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe mësimdhënësit.
Ky donacion synon përmirësimin e kushteve në ambientet shkollore në paralelet e Prigodës dhe Studenicës. /Telegrafi/

