Sipas rezultateve paraprake nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bosnjë-Hercegovinës, SDA fitoi numrin më të madh të votave në garën për Dhomën e Përfaqësuesve të Asamblesë Parlamentare të BeH-së, kur kombinohen rezultatet nga të gjitha zonat zgjedhore.
Me 92,3 për qind të vendvotimeve të përpunuara, SDA ka 240.762 vota, ose 19,89 për qind, transmeton Telegrafi.
Në vendin e dytë është SNSD me 199.082 vota (16,44 për qind), ndërsa SDP është e treta me 113.704 vota (9,39 për qind).
Koalicioni i udhëhequr nga HDZ BeH aktualisht ndodhet në vendin e katërt me 96.884 vota, ose tetë për qind.
Rezultati i pestë më i lartë sipas numrit të përgjithshëm të votave i përket listës së Drashko Stanivukoviq-it – Lëvizja (Pokret Sigurna Srpska) – e cila fitoi 72.565 vota, ose 5,99 për qind.
Këto janë rezultate paraprake nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i BeH-së; të dhënat e paraqitura në grafik pasqyrojnë situatën në orën 21:08, pas përpunimit të 92,3 për qind të vendvotimeve. /Telegrafi/