Përshkallëzimi i protestave në Tiranë, pakënaqësia e studentëve dhe kundërshtimi i projekteve turistike në zona të mbrojtura janë në qendër të raportimeve të mediave gjermanishtfolëse. Krahas përplasjeve me policinë dhe sulmeve ndaj institucioneve, ato trajtojnë shkaqet sociale e politike të revoltës.
Radioja publike zvicerane SRF ngre pyetjen nëse lëvizja studentore dhe ajo e njohur si “Revolucioni i Flamingove”do të bashkohen, duke krijuar një dinamikë të re protestash. Në vijim një përmbledhje e raportimeve.
“Der Standard”, Vjenë: Përshkallëzim i protestave kundër Ramës
Gazeta austriake “Der Standard” raporton për përplasjet mes protestuesve dhe policisë të mërkurën në mbrëmje në Tiranë. Sipas saj, protestuesit sulmuan Ministrinë e Drejtësisë, ndërsa policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe ujëhedhës. U sulmuan dyqane, disa prej të cilave u plaçkitën pjesërisht, ndërsa iu vu zjarri edhe një dege të Raiffeisen Bank.
Gazeta e lidh revoltën me protestat që vazhdojnë prej muajsh kundër korrupsionit dhe projekteve të resorteve luksoze në zona të mbrojtura. Njëri prej projekteve lidhet me një kompani në rrethin e Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, transmeton Telegrafi.
“Der Standard” thekson se protestat janë shtrirë edhe në universitetet e Elbasanit dhe të Shkodrës, ndërsa në Tiranë janë bashkuar nxënës e studentë. Ata kundërshtojnë kushtet në universitete, kostot e studimeve dhe mungesën e mbështetjes financiare e të perspektivës profesionale.
Gazeta përcjell gjithashtu raportime për dhunë policore. Përmendet një video ku policët largojnë një 19-vjeçar me këmbë të thyer. Të paktën 20 protestues u arrestuan, ndërsa presidenti Bajram Begaj bëri thirrje për përgjegjësi dhe maturi.
Radioja publike zvicerane SRF: “Të gjithë përbërësit tregojnë për një vjeshtë të nxehtë protestash”
Redaktori i politikës së jashtme i radio publike zvicerane SRF, Janis Fahrländer, e sheh zhvillimin e mëtejshëm të protestave të lidhur me dy çështje kryesore: aftësinë e lëvizjeve protestuese për t’u bashkuar dhe mënyrën se si do të reagojë qeveria.
Nga njëra anë, shtrohet pyetja nëse Lëvizja e Flamingove dhe studentët mund të bashkojnë forcat, duke krijuar një dinamikë të re. Fahrländer vëren se protestat e Flamingove zhvillohen çdo ditë prej gati pesë muajsh, por pjesëmarrja në to ka rënë ndjeshëm.
Nga ana tjetër, qeveria deri tani nuk ka treguar interes për t’iu përgjigjur kërkesave apo për të hyrë në dialog me protestuesit. Sipas vlerësimit të tij, të paktën në paraqitjen publike, ajo duket e sigurt në pozicionin e vet dhe synon të presë derisa protestat të shuhen.
Të marra së bashku, këto rrethana tregojnë, sipas Fahrländer, “të gjithë përbërësit për një vjeshtë të nxehtë protestash në Shqipëri”. Megjithatë, ai thekson se ende nuk mund të parashikohet forma, përmasa apo rrjedha e tyre.
“Der Spiegel”, Hamburg: Protestat studentore përshkallëzohen, demonstruesit u vënë zjarr ambienteve të Ministrisë së Arsimit
“Der Spiegel” raporton se qindra njerëz, mes tyre shumë studentë, protestuan në Tiranë kundër qeverisë dhe për kushte më të mira studimi. Protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Përplasjet me policinë u përsëritën gjatë protestës: disa demonstrues ngritën barrikada me barriera metalike dhe hodhën gurë e kokteje molotov, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës dhe ujëhedhës, transmeton Telegrafi.
Duke iu referuar gazetarëve të agjencisë AFP, revista shkruan se dy protestues kapërcyen murin e Ministrisë së Arsimit dhe hodhën brenda flakadanë. Pak më vonë, nga një dritare doli tym i dendur i zi.
Në shënjestër ishte edhe Ministria e Financave. Protestuesit shpërthyen dyert dhe disa hynë për pak kohë në ndërtesë. Pasi policia i zmbrapsi, ata u drejtuan te Kryeministria, drejt së cilës hodhën gurë. Në një degë banke u thyen xhamat dhe iu vu zjarri dokumenteve, ndërsa flakët përfshinë edhe një ndërtesë që dukej e pabanuar.
«Der Spiegel» i vendos ngjarjet në kontekstin e “Revolucionit të Flamingove”, që nisi si kundërshtim ndaj një projekti ndërtimi në një zonë të mbrojtur në bregdetin shqiptar të Adriatikut. Sipas revistës, pas projektit qëndron Jared Kushner, dhëndri i Donald Trumpit, ndërsa ai mbështetet nga kryeministri Rama. Flamingot që jetojnë në zonën e mbrojtur u bënë simbol i lëvizjes.
Revista thekson se protestat e studentëve dhe të mbrojtësve të mjedisit drejtohen kundër të gjithë establishmentit politik shqiptar. Socialistët e Ramës dhe demokratët e djathtë, sot në opozitë, janë ndërruar në pushtet që nga ndryshimi i sistemit, më shumë se 30 vjet më parë. Ndonëse Shqipëria ka përparuar në negociatat për anëtarësim në BE, shumë qytetarë, shkruan “Der Spiegel”, i shohin elitat politike si të pangopura, të korruptuara dhe të paafta.
“Die Zeit”, Hamburg: “Kështu nuk mund të vazhdojë më”
Gazeta gjermane “Die Zeit” përqendrohet te pakënaqësia e studentëve dhe zemërimi ndaj pabarazisë sociale e qeverisë. Ajo raporton se protesta studentore e së martës në Tiranë u përshkallëzua në përplasje të dhunshme. Demonstruesit hodhën tulla dhe copa betoni drejt Ministrisë së Arsimit, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës dhe ujëhedhës. Disa protestues u arrestuan.
Sipas raportimit, studentë dolën në rrugë në të gjithë vendin kundër kushteve në universitete, kostove të studimeve dhe mbështetjes së pamjaftueshme financiare. Shumë prej tyre shqetësohen edhe për mundësitë e punësimit pas diplomimit. Një pjesë e protestuesve shprehën gjithashtu kundërshtimin ndaj pabarazisë sociale dhe qeverisjes.
“Die Zeit” përcjell deklaratën e protestueses Luljeta Kola, e cila kërkon ndryshim rrënjësor të sistemit:
“Çfarë do Shqipëria? Do një revolucion, një ndryshim, një përmbysje të plotë të sistemit, sepse kështu nuk mund të vazhdohet. Këta njerëz janë bërë miliarderë, multimiliarderë, ndërsa këtu ka njerëz shumë të varfër. […] Nuk pajtohem me padrejtësitë. Nuk pajtohem me qeverinë; ajo është shumë arrogante dhe shumë e korruptuar.”
Protestuesi Shpëtim Lura akuzon drejtuesit politikë se përfshihen vazhdimisht në skandale pa dhënë dorëheqjen. Ai shpreh mbështetje për studentët: “Studentët kanë plotësisht të drejtë të dalin në rrugë. Dhe i gjithë populli shqiptar do të dalë në protestë.”
Në anën tjetër, zëvendëskryeministrja Albana Koçiu dënoi dhunën. Në rrjetet sociale ajo shkroi se dhuna nuk është dhe nuk do të jetë kurrë zgjidhje. Sipas saj, hedhja e gurëve dhe sulmet ndaj policisë e institucioneve shtetërore nuk janë mënyra se si duhet të shprehen të rinjtë.
Në fund, “Die Zeit” e zgjeron vështrimin edhe te protestat rinore në vende të tjera europiane. Në Francë, nxënësit prej javësh bllokojnë shkollat, duke kërkuar më shumë mësues dhe pajisje më të mira, si dhe duke denoncuar ndërtesat e amortizuara dhe klasat e mbipopulluara./Telegrafi/

