Artistja shqiptare Donna Dafi, është prezantuar përmes një interviste të veçantë në revistën ndërkombëtare të modës dhe kulturës, “Numéro Netherlands”.
Në intervistën e realizuar nga gazetarja Jana Letonja, Donna flet për kapitullin e ri të karrierës së saj, të cilin e ka quajtur “Primadonna Era”, si dhe për këngët: Primadonna, Touch Me Like That, ManGo dhe Goddess.
Artistja e lindur në Gjermani tregon se pikënisja e kësaj periudhe ishte sinqeriteti emocional. Ajo synon të krijojë një univers muzikor ku ndërthuren sensualiteti, ndjeshmëria, fuqia dhe kontrastet emocionale.
Në muzikën e Donna Dafit bashkohen pop-i, R&B-ja dhe ritmet ndërkombëtare. Ajo thekson se trashëgimia nigeriane i ka dhënë muzikës së saj energji, shpirt dhe ritëm, ndërsa kultura shqiptare ka ndikuar në thellësinë dhe intensitetin emocional të këngëve.
Në intervistë, Donna flet edhe për pavarësinë krijuese. Përmes kompanisë së saj diskografike, Record17, ajo udhëheq vetë procesin e krijimit të muzikës, materialeve vizuale dhe rrëfimit artistik. Formimi i saj në arkitekturë, sipas këngëtares, ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si i koncepton projektet dhe ndërton botën vizuale që i shoqëron ato.
Një vend të rëndësishëm në rrëfimin e saj zë edhe përzgjedhja si imazh i ESCADA Fragrances 2025/26. Donna kujton se vite më parë, teksa shihte me babanë e saj një fushatë të ESCADA-s me Rita Orën, i kishte thënë: “Një ditë, ajo do të jem unë.”
Intervista shoqërohet me fotografi nga Thomas Van Cam, autor i fotografive bardhezi, dhe Andres Leon.
Donna Dafi synon që në vazhdim ta zgjerojë praninë e saj ndërkombëtare, të realizojë koncerte anembanë botës dhe të krijojë muzikë që fuqizon, emocionon dhe sjell gëzim. /Telegrafi/