Afaristi i njohur Ramiz Kelmendi ka harruar kritikat që Albin Kurti kishte dikur ndaj tij.
Pas takimit që dje ka pasur me kryeministrin Albin Kurti, Kelmendi ka thënë se takimi ishte konstruktiv.
Në një bisedë për gazetën Nacionale, ish-politikani ka treguar se në takim nuk ishte folur fare për akuzat e shumta të Kurtit ndaj atij.
Kelmendi ka vlerësuar se të gjitha kritikat e Kurtit në opozitë kanë qenë politike.
Sipas tij, ato i ka bërë për të mbledhur vota.
“Liderët politik nuk zgjedhin mjete për të ardhur në pushtet. Zakonisht tentojnë që të përdorin si dërrasë kërcyese të gjitha ata njerëz që janë të aftë, të zgjuar dhe që zhvillojnë Kosovën në mënyrë që të iu tregon qytetarëve se e bën më mirë se sa që bëjnë”, ka thënë Kelmendi.
Ai ka vlerësuar se akuzat e Kurtit opozitar kanë qenë të pabaza.
“Krejt ato çka i ka bërë Kurti gjatë fushatës zgjedhore për të përfitua votues, unë i quaj fushatë politike elektorale. Kurti nuk e përmend më Amarin se tash është në qeveri dhe zbatimi i ligjeve i mbron të gjithë ata që e mbështesin dhe nuk e mbështetin”, është shprehur ai.
Ai ka vlerësuar se Kurti e kishte përdorur Amar Pushkën për interesa te veta.
“Edhe Kurti e ka ditur që Amari është një mbështetës, i cili po i vyen për momentin dhe pastaj e ka kthyer në pozitën e vet dhe nuk e di më se ku është”, është shprehur ai.
Kelmendi ka mohuar se Pushka ka qenë ndonjëherë punëtor i tij.
“Nuk e njoh as unë, sepse ai nuk ka punuar në ELKOS. Ai nuk është punëtor i kompanisë sime, ai nuk ka qenë asnjëherë punëtori i imi. Ai kurrë nuk ka qenë punëtor i ETC-së. Vetëm ati i ka pëlqyer me e marrë si tekst dhe e ka qit”, ka thënë Kelmendi.
Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës ka bërë me dije se në takim nuk ia ka rikujtuar Kurtit kritikat.
“Unë nuk shkova me llafos aty. Unë shkova me e bë më të mirën e mundshme për Kosovën siç punoj çdo herë. Ai na ka thirrë, është politikan që i ka fituar zgjedhjet dhe ne e kemi obligim që të jeni në frymën dhe vijën ligjore të qeverisë”, ka thënë Kelmendi.
Sipas tij, Kurti e kanë zgjedhur qytetarët dhe duhet respektuar këtë vendim.
“Qeverinë e zgjedhur nga qytetarët e kemi obligim ta respektojmë. Qytetarët e kanë zgjedhur atë kryeministër. A na pëlqen a nuk na pëlqen është gjë tjetër, por atë e kanë zgjedhur qytetarët”, është shprehur ai.
Takimi konstruktiv
Biznesmeni Ramiz Kelmendi ka bërë me dije se në takimin e djeshëm me kryeministrin kanë diskutuar për mbështetje të prodhuesve vendor.
“Meqenëse ne në takim ishim liderët e tregtive më të mëdha në Kosovës, diskutimet ishin për mbështetjen e prodhuesve vendor. Ishte kërkesë e arsyeshme, sepse edhe ne jemi duke i respektuar ata. Sepse ata kishin ankesa rreth afatit të pagesa. Edhe unë isha dakord që ka nevojë një pjesë e pagesave të vonuara ndaj prodhuesve vendor të jenë më të disiplinuar, në mënyrë që edhe ata të ecin përpara”, ka thënë Kelmendi.
Ai ka treguar se janë pajtuar me Qeverinë për mbështetje më të madhe për prodhuesit vendor.
“Ishim në një vijë se kemi nevojë për t`i mbështetur ata dhe do të bëjmë maksimumin për këtë. Gjithashtu ishin në një vijë që të kërkojmë pak prej konsumatorëve që ta mbështetin këtë iniciativë, në mënyrë që të konsumojmë më shumë prodhime vendore. Jo vetëm në gjerat ushqimore, po t`i përkrahim edhe prodhuesit tjerë vendor edhe në fushën e tekstit, prodhimit të drurit dhe në fusha tjera. Sepse momentalisht numri i këtyre prodhimeve është shumë i vogël. Natyrisht se ishin edhe kërkesat tona që edhe Qeveria të bëj më shumë për prodhuesit vendor, që të iu hiqet dogane dhe akcizën për disa produkte”, ka theksuar ai.
Kelmendi ka bërë me dije se edhe Qeveria në këtë drejtim duhet të bëj më shumë.
“Është e ditur se marrëdhëniet m shtetin fqinjë duhet ndërtuar fqinjësisht. Ndërsa infrastrukturën ligjore qeveria e jonë mund ta bëj pa e pyetur askënd nga opozita. Dhe e ka obligim që të krijoj asi legjislacioni që shumica e aktorëve ekonomik që ekzistojnë të përdorin këtë legjislacion dhe ta mundim Serbinë në mënyrë ekonomike dhe me metoda tipike administrative. Sepse forma administrative e ka një reaksion tjetër, kurse forma e zhvillimit e mbulimit të atyre prodhimeve e ka formën të cilën askush nuk mund ta mohoj”, ka thënë Kelmendi.
Ai ka arsyetuar mbajtjen e prodhimeve serbe në maketet e tij.
“ETC është tregti për të gjithë qytetarët, për boshnjakët, serbët, malazezet dhe kroatet. Ne nuk mund të ua shkurtojmë kërkesat e tyre. Por askush nuk i detyron qytetarët tanë që ta marrin një produkt që nuk dëshiron ta konsumoj. Çdo produkt e ka flamurin e shtetit në të cilin është prodhua”, është shprehur Kelmendi.
Dje kryeministri Albin Kurti se bashku me një pjesë të kabinetit të tij ka pritur në takim përfaqësuesit e kompanive tregtareve vendore.
Përveç Kelmendit(Grupi Elkos), në takim ishin edhe Xhevdet Rexhepin, përfaqësues i Viva Fresh, Shaip Mikollvcin, përfaqësues i Interex dhe Emona dhe Hakif Gashi, përfaqësues i Meridian dhe Spar.