KORREKT / SOT28 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Sport

Katër vjet depresion pas pensionimit, rrëfimi prekës i ish-futbollistit të Barcelonës

Katër vjet depresion pas pensionimit, rrëfimi prekës i ish-futbollistit të Barcelonës

Ish-mbrojtësi i Barcelonës dhe i kombëtares së Francës, Jérémy Mathieu, ka rrëfyer një nga periudhat më të vështira të jetës së tij pas largimit nga futbolli.

Francezi ka treguar se për katër vjet vuajti nga depresioni, ndërsa puna në një dyqan të pajisjeve sportive, Intersport, e ndihmoi të rifitonte dëshirën për të jetuar dhe kontaktet shoqërore.

Mathieu u detyrua ta përfundonte karrierën në vitin 2020, pas një lëndimi të rëndë në gju. Kalimi nga futbolli profesionist në jetën e përditshme rezultoi shumë i vështirë për të.

Katër vite të errëta pas largimit nga futbolli

Në një intervistë për revistën So Foot, ish-futbollisti tregoi se kishte kaluar një periudhë të gjatë duke qëndruar i mbyllur në shtëpi, pa gjetur motivim për aktivitetet që dikur i jepnin kënaqësi, përcjell “Gazeta Express”.

“Për katër vjet gjithçka e shihja të zezë. Për fat, e kisha bashkëshorten pranë, e cila më ndihmoi të dilja nga kjo gjendje”, rrëfeu Mathieu.

Ai theksoi se vendimi për të punuar në Intersport nuk lidhej me vështirësitë financiare, por me nevojën për të pasur një jetë më aktive dhe për t’u rikthyer në shoqëri.

“Nuk jam në gjendje të keqe financiare, përkundrazi. Thjesht kisha nevojë ta rifitoja jetën shoqërore”, shpjegoi francezi.

Intersporti, kthesa që e ndihmoi të rilindte

Mathieu tregoi se e nisi punën në Intersport rreth dy vjet më parë dhe se ky ndryshim i ndihmoi të dilte nga periudha e vështirë.

“Atje e rigjeta atmosferën e dhomës së zhveshjes. Ishte momenti i kthesës për të dalë nga ajo periudhë e vështirë. Kjo punë më mundësoi të jetoja përsëri, t’i shihja sërish ngjyrat e jetës dhe ta rifitoja jetën shoqërore”, deklaroi ai.

Ndryshimi ndikoi pozitivisht edhe në jetën familjare. Bashkëshortja e tij gjithashtu nisi të merrej me punë të ndryshme, ndërsa të dy fituan më shumë hapësirë në përditshmëri.

“Edhe bashkëshortja ime filloi përsëri të bënte disa punë të vogla. Më parë ishim gjithmonë bashkë dhe situata po bëhej gjithnjë e më e ndërlikuar. Fakti që secili punonte veçmas na bëri mirë. Gjithashtu, kam filluar t’i takoj përsëri miqtë”, shtoi ish-mbrojtësi.

Në fund, Mathieu foli edhe për mënyrën se si e sheh shoqërinë e sotme, duke kritikuar mungesën e vëmendjes ndaj aspektit njerëzor.

“Nuk dua të hyj në politikë, sepse secili ka mendimet e veta, por situata është e ndërlikuar. Këtu flitet vetëm për para dhe mungon krejtësisht ana njerëzore”, përfundoi ai.

Mathieu, i cili gjatë karrierës së tij fitoi Ligën e Kampionëve me Barcelonën në vitin 2015, dëshmon se jeta pas futbollit mund të sjellë sfida të mëdha edhe për ata që kanë arritur majat e këtij sporti. 

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.