Katër persona janë pranuar në Qendrën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi kanë pësuar plagë nga armë zjarri në incidentin e ndodhur në Podujevë.
Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla ka bërë të ditur se të plagosurit kanë marrë plagë të rënda nga armë zjarri, ndërsa ekipet mjekësore janë duke kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme.
“Janë pranuar 4 persona në Qendrën Emergjente, me plagë skllopetare të.rënda. Janë duke u kry egzaminimet e nevojshme. Gjendja e tyre është stabile për momentin”, tha Syla.
Ndërkohë, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala, ka deklaruar për Telegrafin se sipas të dhënave fillestare nuk raportohet për viktima.
“Sipas të dhënave fillestare, deri më tani nuk ka ndonjë person të vrarë. Ka vetëm të plagosur dhe ata janë duke marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor”, tha Shala.
Organet e rendit dhe Prokuroria po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. /Telegrafi/
