Arne Slot ka gjetur një rol të ri në futboll, katër muaj pasi u shkarkua nga Liverpooli. Trajneri holandez do të jetë pjesë e grupeve të vëzhguesve teknikë të UEFA-s për sezonin 2026/27.
Slot u largua nga Liverpooli në fund të sezonit 2025/26, pasi skuadra angleze e përfundoi kampionatin në vendin e pestë në Ligën Premier. Kështu, holandezi nuk arriti ta përsëriste suksesin e sezonit të tij të parë, kur Liverpooli fitoi titullin e kampionit në Angli.
Pas largimit nga “Anfield”, emri i tij u përfol për disa pozita të rëndësishme, përfshirë drejtimin e Kombëtares së Holandës dhe të Fulhamit. Megjithatë, Slot kishte qëndruar jashtë futbollit deri në emërimin e tij të ri nga UEFA.
Roli i tij i ri do të përfshijë vëzhgimin dhe analizimin e ndeshjeve nga këndvështrimi i trajnerit, me fokus te aspektet teknike dhe taktike të lojës.
Vëzhguesit teknikë të UEFA-s kanë gjithashtu përgjegjësi në përzgjedhjen e lojtarit më të mirë të ndeshjes për çdo javë të Ligës së Kampionëve. Ata analizojnë paraqitjet gjatë sezonit dhe kontribuojnë në përcaktimin e ekipit, lojtarit, lojtarit të ri dhe golit më të mirë të sezonit.
Sipas UEFA-s, gjatë ndeshjeve, vëzhguesit teknikë bashkëpunojnë me ekipin e analizës së performancës për të mbledhur pamje filmike dhe të dhëna. Ata kanë qasje në pamje nga kënde të ndryshme, përfshirë kamerat taktike dhe ato të vendosura prapa lojës, të cilat mund t’i shqyrtojnë drejtpërdrejt në stadium ose nga distanca.
Materialet e mbledhura ruhen në një bazë të dhënash edukative dhe pasurohen me mjete të avancuara të analizës video, për të nxjerrë në pah elementet kryesore teknike dhe taktike të ndeshjeve.
Për Slotin, ky emërim shënon rikthimin në futboll në një rol ndryshe nga ai i trajnerit të një skuadre. Përvoja e tij në drejtimin e Liverpoolit dhe Feyenoordit pritet të jetë e vlefshme në analizimin e ndeshjeve dhe vlerësimin e performancave në nivelin më të lartë evropian./Telegrafi/