Reflektimet e arta dhe nuancat e mjaltit krijojnë një pamje elegante, duke i dhënë flokëve më shumë shkëlqim, pa ndryshuar rrënjësisht ngjyrën natyrale
Flokët e gjatë dhe gjithmonë të kuruar të Kate Middleton tërheqin vazhdimisht vëmendjen, ndërsa mënyra se si i rregullon shpesh bëhet frymëzim për gratë në mbarë botën. Këtë herë, në qendër të vëmendjes është ngjyra e saj e re, një nuancë e ngrohtë kafe me reflektime të arta, që përshtatet veçanërisht bukur me atmosferën e vjeshtës.
Në paraqitjet e saj zyrtare, Princesha e Uellsit është shfaqur me flokë në tone më të ngrohta, ku dallohen reflektime të lehta në ngjyrë mjalti. Valëzimet e buta theksojnë shkëlqimin dhe ndërthurjen e ngjyrave, duke krijuar një pamje natyrale dhe elegante.
Kjo nuancë, e njohur ndërkombëtarisht si teak brunette, pritet të jetë ndër zgjedhjet e kërkuara gjatë muajve të ftohtë.
Çfarë e bën të veçantë këtë nuancë kafe?
Specialistja e ngjyrosjes së flokëve Siobhan Haug, themeluese e sallonit londinez Haug London Haus, e përshkruan këtë ngjyrë si një ndërthurje të kafesë mesatare deri në të errët, të pasuruar me reflektime të arta dhe ngjyrë mjalti.
Emërtimi frymëzohet nga druri tropikal i tikut, i njohur për ngjyrat e tij të ngrohta, që ndryshojnë nga e arta e ndriçuar prej diellit deri te nuancat më të thella të kafesë.
Veçantia qëndron te kombinimi i bazës së errët me reflektime të ngrohta, pa praninë e theksuar të toneve portokalli apo të bakrit.
Rezultati është një ngjyrë e pasur dhe natyrale, që i jep flokut më shumë thellësi, ndërsa fytyrës një pamje më të freskët.
Si ta arrini ngjyrën e flokëve të Kate Middleton?
Për një rezultat të ngjashëm, Haug rekomandon teknikën e çeljes graduale të fijeve të flokëve, të njohur si balayage. Kjo mënyrë ngjyrosjeje krijon kalime të buta ndërmjet nuancave, pa dallime të forta nga rrënjët deri te majat.
Ndryshe nga fijet e çelura me metodën klasike, kjo teknikë mundëson një rezultat më natyral.
Specialistes kërkojini reflektime në ngjyrë mjalti, jo më shumë se dy shkallë më të çelëta se ngjyra juaj natyrale kafe.
Për më shumë shkëlqim, mund të përdoret edhe një trajtim me nuancues, i cili ndihmon që tonet e arta të ndërthuren në mënyrë të njëtrajtshme me ngjyrën bazë.
Si t’i mbuloni thinjat pa ndryshuar plotësisht ngjyrën?
Për gratë që dëshirojnë të mbulojnë thinjat, specialistja sugjeron kombinimin e ngjyrës së përhershme me fije shumë të holla dhe pak më të çelëta.
Kjo mënyrë ngjyrosjeje, e njohur si babylights, krijon reflektime delikate, duke shmangur pamjen e njëtrajtshme të flokëve të ngjyrosur plotësisht.
Flokët fitojnë më shumë gjallëri, thellësi dhe shkëlqim, pa humbur pamjen natyrale.
Pse kjo ngjyrë u përshtatet veçanërisht bruneve?
Ngjyra e re e Kate Middleton është një zgjedhje tërheqëse për brunet që dëshirojnë ndryshim, por pa i çelur shumë flokët.
Reflektimet në ngjyrë mjalti dhe ari e ndriçojnë pamjen, ndërsa baza kafe ruan elegancën dhe thellësinë natyrale.
Kjo ndërthurje harmonizohet bukur me veshjet e vjeshtës dhe dimrit, sidomos me ngjyrën e gjelbër, blunë e errët dhe nuancat bezhë.
Përparësia kryesore është se sjell një ndryshim të dukshëm, por jo të tepruar, duke i bërë flokët të duken më të gjallë, më të ndritshëm dhe më elegantë. /Telegrafi/

