Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati, ka vendosur një mbishkrim tek vendi i kryeministrit Albin Kurti, në Kuvendin e Kosovës.
Në të Kurti kritikohet për deklaratën e tij lidhur me ish-politikanin serb Oliver Ivanoviq, në 5-vjetorin e vrasjes së tij.
“Dëshmitarja: Oliver shpëtoma djalin
Kurti: Të gjithë do ta ruajmë kujtimin për Oliver Ivanoviqin
Në të tjerët: Po ne do të na kujtohet Ivanoviqi për krimet që i ka bërë ndaj shqiptarëve
Porosia për Kurtin: Ka kaluar koha e Bogdan Bogdanoviçit dhe e UJDI-t”, shkruhet në këtë mbishkrim.
Deklarata e Kurtit për ish-politikanin serb Ivanoviq është kritikuar nga opozita. Qëndrimi i Kurtit ka nxitur reagime të shumta.
Përmes një videoje, kreu i Qeverisë i thuri lavde Ivanoviqit, derisa kërkoi zbardhjen e vrasjes së tij.
“Oliver Ivanoviq ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij. Ai e bëri këtë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord. Do të dëshiroja që kujtimi i tij të mbetet i gjallë, kujtimi i tij si një njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumetnike”, ka thënë Kurti.
Deklaratën e kryeministrit opozita e ka ndërlidhur me qasjen e tij ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, derisa ia ka përmendur edhe qëndrimet sa Kurti ishte në opozitë.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka shkruar të martën se Kurti ka nënçmuar veteranët e UÇK-së, derisa kryeministrin e kritikoi në një konferencë për media edhe nënkryetarja Vlora Çitaku.
Ish-deputetja e Vetëvendosjes, tani anëtare e LDK-së, Shqipe Pantina, ka thënë se Kurti ka ndryshuar qëndrimin ndaj Ivanoviqit me të ardhur në pushtet.
E sipas deputetes së AAK-së, Albana Bytyqi, me deklaratën e bërë kryeministri ka ofenduar Kosovën.
Ivanoviq është qëlluar për vdekje më 16 janar 2018, para zyrës së partisë së tij në Mitrovicë të Veriut.
Deri para vrasjes, ai po rigjykohej për urdhërimin e vrasjes së shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999. Ai ishte deklaruar i pafajshëm.