Nuk është gjithmonë dhimbja në gjoks ajo që paralajmëron problem; ndonjëherë trupi flet më qetë, por shumë qartë
Kur mendojmë për një person me sëmundje të zemrës, zakonisht imagjinojmë dikë që kapet për gjoks ose ndien marramendje. Edhe pse këto janë simptoma të rëndësishme, ekziston edhe një shenjë tjetër që shpesh mund të kalojë pa u vënë re: lodhja.
Kardiologu Dr. Sam Setareh shpjegon se çfarë duhet të merret seriozisht dhe cila është pyetja e parë që u bën pacientëve që ankohen për lodhje kronike.
“Shumë njerëz mendojnë se sëmundjet e zemrës gjithmonë shfaqen me simptoma dramatike, si dhimbje e fortë në gjoks, por shpesh nuk ndodh kështu”, thotë kardiologu Dr. Setareh për Parade.
Sipas tij, lodhja, sidomos kur është e re, e vazhdueshme ose e lidhur me rënie të aftësisë për aktivitet fizik, mund të jetë një shenjë e hershme paralajmëruese.
“Kjo është veçanërisht e rëndësishme për gratë, të cilat më shpesh se burrat mund të përjetojnë simptoma atipike”, thotë ai. “Nëse dikush vëren një ndryshim të dukshëm në nivelin e energjisë, që nuk mund të shpjegohet me stilin e jetesës, stresin ose gjumin e dobët, duhet patjetër të flasë me mjekun.”
Personat me insuficiencë kardiake shpesh raportojnë nivel të lartë lodhjeje. Sipas një studimi, këtë e përjetojnë 50.4 për qind e burrave dhe 51.2 për qind e grave. Kjo lodhje mund të jetë tregues i rëndësishëm për simptoma të tjera që mund ta ndihmojnë kardiologun të arrijë deri te diagnoza e saktë, transmeton Telegrafi.
Lidhja mes lodhjes dhe shëndetit të zemrës
“Lodhja mund të jetë një nga shenjat më të hershme dhe më të nënvlerësuara të sëmundjeve kardiovaskulare”, thotë Dr. Setareh.
“Detyra kryesore e zemrës është të furnizojë çdo ind të trupit me gjak të pasur me oksigjen. Kur zemra nuk pompon në mënyrë efikase, indet dhe organet mund të mos marrin mjaftueshëm gjak për t’i përmbushur nevojat e tyre.”
Si pasojë, pacientët shpesh ndiejnë lodhje të vazhdueshme, rënie të qëndrueshmërisë fizike ose mungesë të përgjithshme energjie shumë kohë para se të shfaqen simptomat më klasike, si dhimbja në gjoks.
“Kjo është një nga simptomat më të nënvlerësuara të sëmundjeve të zemrës, pikërisht sepse nuk duket tipike”, shton ai.
Pyetja kyçe kur lodhja bëhet e vazhdueshme
Dr. Setareh thotë se gjëja e parë që i pyet pacientët që ankohen për lodhje është nëse ndiejnë mungesë ajri, sidomos gjatë aktiviteteve që më parë i kryenin pa vështirësi.
“Ju pyes nëse ju merret fryma gjatë gjërave që më parë i bënit lehtë, si ngjitja e shkallëve apo ecja deri te makina. Mungesa e frymëmarrjes gjatë përpjekjes fizike është mënyra se si trupi sinjalizon se zemra dhe mushkëritë po përpiqen të përmbushin kërkesat e organizmit”, shpjegon ai.
Sipas kardiologut, lodhja dhe mungesa e frymëmarrjes shpesh shfaqen së bashku kur zemra nuk arrin t’i përgjigjet siç duhet nevojave të trupit.
“Pacientët jo gjithmonë i vërejnë ndryshimet e lehta në frymëmarrje, prandaj kjo pyetje mund të japë të dhëna të rëndësishme nëse zemra po kontribuon në simptomat e tyre”, thotë ai.
Përveç lodhjes dhe mungesës së frymëmarrjes, simptoma të tjera që mund të tregojnë për sëmundje kardiovaskulare janë: ulja e tolerancës ndaj aktivitetit fizik, ënjtja e këmbëve ose nyjave, rrahjet e çrregullta apo të forta të zemrës, marramendja, parehatia në gjoks, si dhe nevoja për të fjetur me më shumë jastëkë për shkak të vështirësisë në frymëmarrje kur personi shtrihet.
Si të kuptohet nëse lodhja lidhet me zemrën
Shumë njerëz ndihen të lodhur gjatë ditës. Sipas një raporti të National Sleep Foundation, amerikanët ndihen të përgjumur mesatarisht tri ditë në javë. Megjithatë, lodhja që lidhet me zemrën zakonisht shfaqet ndryshe.
Dr. Setareh thotë se kjo lloj lodhjeje ka prirje të jetë më e vazhdueshme dhe shpesh shoqërohet me rënie të aftësisë fizike.
“Pacientët shpesh më thonë se nuk mund t’i bëjnë më aktivitetet që dikur ishin rutinë për ta, si ngjitja e shkallëve, ushtrimet fizike ose mbajtja e qeseve me ushqime”, thotë ai.
“Kjo lloj lodhjeje shpesh është në shpërpjesëtim me sasinë e gjumit që personi bën dhe mund të përkeqësohet gradualisht me kalimin e kohës. Kur lodhja shoqërohet me mungesë fryme, parehati në gjoks, rrahje të çrregullta të zemrës, ënjtje ose marramendje, nevojitet vlerësim mjekësor.”
Lodhja e zakonshme mund të lidhet me mungesë gjumi, stres, ngarkesë emocionale ose mënyrë jetese. Por kur ajo është e vazhdueshme, e pazakontë, shfaqet bashkë me frymëmarrje të vështirësuar dhe kufizon aktivitetet e përditshme, nuk duhet injoruar.
Në raste të tilla, kontrolli te mjeku mund të jetë hapi më i rëndësishëm për të kuptuar nëse pas lodhjes fshihet një problem i zemrës. /Telegrafi/
