Një fushatë e zbritjeve të organizuar më 2 korrik nga rrjeti i supermarketeve Lidl në Francë ka shkaktuar skena kaotike në disa dyqane, veçanërisht në rajonin e Parisit, në një kohë kur vendi po përballet me valë të fortë të nxehti.
Oferta për ventilatorë dhe pajisje portative për ajër të kondicionuar ka tërhequr një numër shumë të madh klientësh, duke krijuar turma të mëdha dhe situata të pakontrolluara.
Në një dyqan në lagjen e 14-të të Parisit, klientët kanë filluar të presin në radhë që nga mesnata, ndërsa deri në hapjen e dyqanit numri i tyre ka arritur në 300–400 persona. Brenda më pak se një ore, produktet janë shitur tërësisht.
Situata është përshkallëzuar brenda dyqanit, duke sjellë shtyrje, rrëzime dhe panik mes klientëve. Autoritetet franceze janë detyruar të ndërhyjnë, duke dërguar policinë dhe shërbimet e zjarrfikësve për të rikthyer rendin.
Në një incident të veçantë, një klient ka përdorur sprej piperi, duke shkaktuar probleme shëndetësore për të paktën tetë persona, përfshirë edhe një fëmijë 12-vjeçar.
Ngjarje të ngjashme janë raportuar edhe në disa qytete dhe periferi të tjera të Parisit, përfshirë Nanterre, Aubervilliers, Paris 19e, Levallois-Perret, Sevran, L’Haÿ-les-Roses dhe Valenton. Pamjet nga vendngjarjet tregojnë dyer të hapura me forcë, përplasje mes turmave dhe ndërhyrje të stafit për të mbyllur përkohësisht disa dyqane për arsye sigurie.
Autoritetet pritet të analizojnë menaxhimin e situatës dhe masat e sigurisë, ndërsa ngjarja ka ngritur shqetësime mbi organizimin e shitjeve me fluks të lartë klientësh gjatë periudhave të temperaturave ekstreme. /Telegrafi/
