Harry Kane ka mbërritur në Londër për ceremoninë e Topit të Artë 2026, ndërsa prania e Lionel Messit mbetet e pamundur, sipas raportimeve të mediave.
Sulmuesi i Bayern Munichut shihet si një nga favoritët kryesorë për çmimin prestigjioz, pas një sezoni të jashtëzakonshëm, në të cilin realizoi 73 gola me klubin dhe Kombëtaren e Anglisë.
Kane fitoi Këpucën e Artë Evropiane për sezonin 2025/26, si dhe ndihmoi Bayernin të triumfonte në Bundesligë, Kupën e Gjermanisë dhe Superkupën e Gjermanisë.
Ai gjithashtu arriti deri në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Drejtori ekzekutiv i Bayernit, Jan-Christian Dreesen, nuk e fshehu dëshirën që sulmuesi anglez ta fitojë çmimin.
“Sigurisht, do të ishim jashtëzakonisht të lumtur nëse Harry Kane do ta fitonte Topin e Artë.
Ai thyen rekorde vit pas viti, por 73 golat e tij me Bayernin dhe Kombëtaren e Anglisë kanë një rëndësi të veçantë këtë herë”, deklaroi Dreesen.
Messi pritet të mungojë
Ndryshe nga Kane, Lionel Messi nuk pritet të jetë i pranishëm në ceremoninë që mbahet sonte në Londër.
Argjentinasi, fitues i Topit të Artë në tetë raste, ka pasur një agjendë të ngjeshur ditëve të fundit.
Ai udhëtoi drejt Oviedos për të marrë një çmim në ceremoninë e Çmimeve Princesha e Asturias, përpara se të kthehej në Shtetet e Bashkuara për angazhimet me Inter Miamin.
Messi ishte gjithashtu i pranishëm në turneun Messi Cup të dielën, çka e bën edhe më të vështirë udhëtimin e tij drejt kryeqytetit anglez.
Ceremonia e këtij viti shënon 70-vjetorin e Topit të Artë, çmim që u nda për herë të parë në vitin 1956, kur fitues ishte Stanley Matthews.
Tashmë, vëmendja është te emri që do ta fitojë trofeun më prestigjioz individual në futbollin botëror. /Zëri

