Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, ka kritikuar praktikat në Serbi për heshtjen e vendimeve gjyqësore dhe fakteve të vërtetuara përmes proceseve gjyqësore, duke thënë se ato po zëvendësohen me një të ashtuquajtur “të vërtetë të popullit”.
Në një reagim drejtuar ambasadorit të Bashkimit Evropian në Serbi, Andreas von Beckerath, Kandiq ka thënë se, krahas paralajmërimit të tij se glorifikimi i kriminelëve të dënuar të luftës është në kundërshtim me vlerat evropiane, ai duhej të kishte adresuar edhe praktikën e mohimit dhe shtrembërimit të fakteve për krimet e luftës.
Sipas saj, shtrembërimet më të mëdha kanë të bëjnë me gjenocidin në Srebrenicë dhe viktimat e luftës në Kosovë.
“Përballja e përgjegjshme me të kaluarën kërkon ndërprerjen e këtyre praktikave”, ka theksuar Kandiq.
Ajo ka vënë në pah dokumentacionin e Fondit për të Drejtën Humanitare (HLC), i cili, sipas saj, përmban bazën më gjithëpërfshirëse të të dhënave për humbjet njerëzore në Kosovë, duke dokumentuar fatin individual të viktimave të të gjitha përkatësive etnike.
Kandiq ka theksuar se Fondi disponon edhe dokumente të shumta gjyqësore, dëshmi të familjarëve të viktimave dhe dëshmitarëve, si dhe një koleksion të veçantë të incizimeve video të dëshmive të dhëna para Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY), lidhur me luftërat e zhvilluara që nga viti 1991, përfshirë edhe atë në Kosovë.
Sipas saj, ky dokumentacion mund të ndihmojë Prokurorinë për Krime Lufte të Serbisë, por vetëm nëse ajo vepron në mënyrë të pavarur dhe mbështetet në fakte e prova, e jo në udhëzimet politike të pushtetit.
“Pavarësia e gjyqësorit, për të cilën insiston BE-ja, duhet të shtrihet edhe në ndjekjen penale të krimeve të luftës”, ka deklaruar Kandiq.
Ajo i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të ofrojë mbështetje politike dhe financiare për përfshirjen e brezave të rinj, veçanërisht studentëve dhe të diplomuarve universitarë, në hulumtimin e luftërave të viteve 1990.
Sipas Kandiqit, të rinjtë duhet të kenë mundësinë t’i shqyrtojnë provat, të nxjerrin përfundimet e tyre dhe të rivlerësojnë në mënyrë kritike narrativat mbizotëruese për të kaluarën.
Në fund, ajo ka paralajmëruar se politika e kujtesës është shndërruar në një armë të re lufte, përmes së cilës thellohen ndarjet kombëtare, mohohen krimet dhe glorifikohen autorët e tyre.
Kandiq ka theksuar se njohuritë dhe faktet e dokumentuara nga organizatat e pavarura hulumtuese mund të ndihmojnë në krijimin e një kulture tjetër të kujtesës dhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal, të bazuar në përgjegjësinë për krimet e luftës dhe respektimin e të gjitha viktimave./Telegrafi.

