Një video e re, e publikuar nga Autoriteti i Transportit Metropolitan të New Yorkut (MTA), ka dokumentuar momentin tragjik kur një ndërtesë trekatëshe në Brooklyn u shemb, duke shkaktuar vdekjen e tetë personave.
Pamjet janë regjistruar nga një kamerë e instaluar në një autobus të transportit publik.
Në video shihet momenti kur ndërtesa shembet brenda pak sekondash, ndërsa një re e madhe pluhuri mbulon zonën.
– YouTube www.youtube.com
Zhurma e fortë e shembjes dhe shpejtësia me të cilën godina rrëzohet e bëjnë edhe më tronditëse ngjarjen.
Sipas dëshmive të banorëve të zonës, përpara shembjes ishin ndjerë dridhje që dyshohet se lidheshin me punimet e ndërtimit në afërsi.
Një dëshmitar ka treguar se kishte parë tulla që binin nga ndërtesa pak çaste përpara se ajo të shembej.
Ndërkohë, hetuesit po përpiqen të përcaktojnë shkaqet e sakta të tragjedisë, duke shqyrtuar edhe nëse janë respektuar rregullat e sigurisë gjatë punimeve të ndërtimit në zonë.
Tetë personat që humbën jetën në këtë ngjarje kishin histori të ndryshme, por ishin pjesë e komunitetit lokal.
Mes viktimave janë edhe dy fëmijë. /Telegrafi/

