Shefja e diplomacisë së Bashkimit Europian, Kaja Kallas, në një intervistë për agjencinë boshnjake të lajmeve vlerësoi progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt anëtarësimit në BE, duke veçuar hapat e rëndësishëm të Shqipërisë në procesin e integrimit.
Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punët e Jashtme theksoi se ritmi i zgjerimit të Bashkimit Europian pritet të përshpejtohet, duke e parë integrimin e vendeve kandidate si një prioritet strategjik për stabilitetin dhe të ardhmen europiane.
Kallas theksoi se për BE do të jetë e lehtë të pranojë Shqipërinë dhe Malin e Zi.
“Zgjerimi nuk është një lojë me fitues dhe humbës. Ose të gjithë janë pjesë e tij, ose askush. Nëse marrim si shembull Malin e Zi ose Shqipërinë, ato janë vende që Bashkimi Evropian ka kapacitetin t’i mirëpresë. Është gjithashtu e qartë se është në interesin tonë që vendet e Ballkanit Perëndimor, t’i bashkohen Bashkimit Evropian. Ky është gjithmonë një proces i dyanshëm”, tha ajo./ATSH
