Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar do të takohen më 20 nëntor në një samit, ku të dyja palët pajtohen për nevojën e bashkëpunimit më të ngushtë, megjithëse vazhdojnë të kenë dallime rreth mënyrës se si duhet të arrihet kjo.
Mbretëria e Bashkuar duhet të përqendrohet fillimisht në pjesëmarrjen në mekanizmat ekzistues të mbrojtjes së Bashkimit Evropian, në vend që të nisë negociatat për rikthimin e saj në bllok, ka deklaruar shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas.
Ajo i bëri këto komente gjatë një takimi me sekretarin britanik të Mbrojtjes, Wes Streeting, në kuadër të përpjekjeve për të thelluar bashkëpunimin para samitit BE-Britani, që do të mbahet më 20 nëntor. Streeting zhvilloi gjithashtu bisedime me komisionerin evropian për Mbrojtjen, Andrius Kubilius, ndërsa më vonë gjatë së hënës pritet të takohet në Berlin me ministrin gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius.
Kallas tha se disa zyrtarë në Bruksel janë ende të “traumatizuar” nga negociatat e vështira dhe shpeshherë të tensionuara që pasuan vendimin e Britanisë për t’u larguar nga BE-ja, transmeton Telegrafi.
Sipas saj, marrëdhëniet mes dy palëve duhet të zhvillohen gradualisht, duke u përqendruar fillimisht në fusha konkrete të bashkëpunimit, përpara se të shqyrtohen hapa më ambiciozë.
“Vendimi varet nga populli britanik dhe nga një marrëveshje e negociuar. Në Bruksel ka shumë njerëz që janë ende të traumatizuar nga Brexit-i”, deklaroi Kallas.
Ajo shtoi se negociatat do të jenë të vështira dhe se palët ende nuk kanë arritur në atë fazë.
“Është e rëndësishme që ne dëshirojmë marrëdhënie më të thella, sepse jemi shumë pranë njëri-tjetrit dhe së bashku jemi më të fortë. Por, le të ecim hap pas hapi”, tha ajo.
Nga ana tjetër, Streeting konfirmoi se Britania mbetet e përkushtuar për të shqyrtuar mundësitë e një bashkëpunimi më të ngushtë në fushën e mbrojtjes me BE-në, pavarësisht se vitin e kaluar vendosi të mos bëhej pjesë e skemës evropiane të kredive për mbrojtjen, SAFE, me vlerë 150 miliardë euro.
Londra refuzoi të merrte pjesë në këtë program pasi nuk arriti marrëveshje me Brukselin për tarifën e parashikuar të anëtarësimit, e cila vlerësohej nga katër deri në gjashtë miliardë euro. Burime britanike kishin deklaruar në atë kohë se qeveria nuk e konsideronte këtë kosto si të arsyeshme në raport me përfitimet.
Samiti po tërheq vëmendje të veçantë pas zotimit të kryeministrit të ri britanik, Andy Burnham, për të rindërtuar marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, përfshirë bashkëpunimin më të madh në tregti, arsim, energji dhe mbrojtje.
Burnham gjithashtu nuk e ka përjashtuar mundësinë e nisjes së negociatave për rikthimin e Britanisë si anëtare e plotë e BE-së.
Megjithatë, pavarësisht gatishmërisë në Bruksel për integrim më të madh me Britaninë dhe mundësisë që në të ardhmen të shqyrtohet rikthimi i saj, ekziston një pajtim i gjerë se rihapja e negociatave për anëtarësim do të ishte një proces i gjatë dhe politikisht përçarës.
Kjo lidhet veçanërisht me ndarjet që vazhdojnë në shoqërinë britanike për çështjen e Brexit-it, si dhe me përvojën e vështirë që negociatat e largimit shkaktuan edhe në vendet evropiane.
Streeting paralajmëroi se debati për rikthimin e mundshëm të Britanisë në BE nuk duhet të nxitohet. Megjithatë, ai e vlerësoi si “guximtar” vendimin e Burnhamit për ta rihapur këtë diskutim, duke pasur parasysh ndjeshmërinë politike të çështjes.
Ai mirëpriti vendimin e kryeministrit për të nisur atë që e quajti një “bisedë guximtare” me Komisionin Evropian, shtetet anëtare dhe qytetarët britanikë.
“Nuk ka dyshim se largimi nga BE-ja e dëmtoi ekonominë tonë dhe se sot nuk jemi aq të fortë sa mund të kishim qenë”, shtoi Streeting.
Bisedimet e zhvilluara të hënën u përqendruan edhe te agresioni i vazhdueshëm rus në Evropë, përfshirë sulmet hibride, si dhe te përgjegjësia gjithnjë e më e madhe e vendeve evropiane për të ofruar mbështetje ushtarake për Ukrainën.
Palët diskutuan gjithashtu të ardhmen e industrisë evropiane të mbrojtjes. Streeting argumentoi se kontinenti duhet ta zgjerojë ndjeshëm kapacitetin e tij industrial, por paralajmëroi se Bashkimi Evropian duhet të shmangë një qasje proteksioniste që mund të dëmtojë vetë objektivat e tij.
Komentet e tij iu referuan pjesërisht nismës së propozuar nga BE-ja, “Made in Europe”, e cila synon t’u japë përparësi prodhuesve evropianë në sektorë të rëndësishëm, përfshirë industrinë e mbrojtjes.
Britania aktualisht mbetet jashtë kësaj nisme, pasi pas Brexit-it nuk është më pjesë e tregut të vetëm evropian.
“Duhet të jemi të kujdesshëm që nisma ‘Made in Europe’ të mos shndërrohet në proteksionizëm që dëmton vetë qëllimet tona”, paralajmëroi Streeting. /Telegrafi/

